Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani së bashku me klubin e tij, Napolin janë zyrtarisht kampionë të Italisë në futboll.
33 vite pritje për Napolin dhe tifozët e tyre morën fund sonte, 4 maj 2023. Ekipi i udhëhequr nga Spalletti është kampioni i ri i Italisë.
Pesë xhiro pa përfunduar sezoni, Napoli edhe matematikisht e ka siguruar titullin në Serie A.
Një barazim i sontëm 1:1 me Udinesen në udhëtim mjaftoi që napolitanët të nisin festën e madhe.
Rrahmani ishte padyshim pjesë kyçe e këtij suksesi të madh të klubit italian, duke qenë startues i padiskutueshëm në qendër të mbrojtjes.
Aktualisht, Napoli ka 80 pikë në vendin e parë, 16 më shumë se Lazio i vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u luajtur.