RËNDËSIA E FAMILJES NË PERSPEKTIVËN ISLAME

Dr.Bashkim Aliu

HYRJE
Shqyrtimi i rëndësisë së familjes në perspektivën islame, por edhe shqyrtimi i çdo çështje tjetër nga aspekti islam, apriori kërkon referim në burimet unanime të të drejtës islame, Kur’anin dhe traditën profetike, si dhe burimet tjera të të drejtës islame, si konsenzusi dhe analogjia, si dhe krahasime dhe analiza të teksteve të ndryshme konform metodologjisë shkencore në disciplinat përkatëse të shkencave islame. Së këndejmi, rëndësinë e familjes në këndvështrimin islam do ta trajtojmë duke u thirrur në tekste të këtyre dy burimeve, dhe vlerësimi ynë për rëndësinë e familjes, do të ndërtohet pikërisht mbi reflektimin e këtyre dy burimeve për çështjen në fjalë.
Ndërkaq, familja është definuar si “një grup njerëzish të bashkuar nga lidhjet fisnore, pjestarët e rritur të cilit kanë përgjegjësinë e kujdesjes për fëmijët.” (Giddens, 2004:371).
E drejta islame e trajton mirëqenien e njeriut në tre nivele: atë individual, familjar dhe shoqëror. Për këtë, ka siguruar dispozita për mbrojtjen dhe zhvillimin e njeriut në të tre nivelet e përmendura dhe, kjo tregon se islami e sheh zhvillimin e njeriut si tërësi dhe në mënyrë të barasvlershme reflekton me mësimet dhe dispozitat e veta në të tre nivelet për të dokumentuar se islami ka qasje gjithpërfshirëse për jetën dhe rrjedhat shoqërore. Së këndejmi, interesimi gjithpërfshirës i të drejtës islame për jetën e njeriut duke vënë instruksione të përgjithësuara a të detajuara, në kulm të interesimit të vet e ka vënë jetën familjare, e që mbështetet në dispozitat e detajuara të cilat u referohen jetës familjare, gjë që nuk është rast me asnjë sferë tjetër të jetës shoqërore (En-Nexhar, 2005:68).

RËNDËSIA E FAMILJES NË ISLAM
Për të sqaruar rëndësinë e familjes në Islam, do të thirremi në disa tekste nga burimet autoritative islame, që besojmë se do të jenë dëshmi e mjaftueshme për qasjen që i bëhet familjes në mësimet islame.
-Fillimi i gjinisë njerëzore: Për dallim nga teoria evolucioniste, mësimet islame pohojnë se gjinia njerëzore ka filluar prej familjes, gjegjësisht i gjithë njerëzimi kanë prindër, baba dhe nënë, Ademin dhe Havanë. Edhe përskaj asaj se Zoti është i gjithfuqishëm dhe ka patur mundësi që të krijoj një numër të madh njerëzish, vërehet se ka qenë caktim i Zotit që të krijoj fillimisht një mashkull dhe një femër, të cilët i bën bashkëshortë, dhe pastaj prej këtyre dy bashkëshortë, përmes rrugës së njohur të lindjes, të lindin fëmijë e të vazhdoj jeta dhe gjinia njerëzore. Fakti që vetë Zoti vendosi që shumimi i gjinisë njerëzore të bëhet përmes familjes, dhe forma e parë e zanafillës së njerëzimit të jetë pikërisht familja, flet qartë për pozitën e familjes në kënvështrimin Islam. Kjo, ngase fetarisht është e njohur maksima se Zoti në çdo vendim dhe përcaktim të Tij ka një urtësi, e edhe zhvillimi i gjinisë njerëzore nga një familje, gjegjësisht familja e Ademit, babait të njerëzimit, tregon për urtësinë e Zotit në theksimin e vlerës dhe pozitës së familjes. Në Kur’an thuhet:> [ En-Nisa:1]. Komentatori bashkëkohor i Kur’anit, Sejid Kutub, përkitazi me këtë ajet ka nënvizuar:”Ky ajet aludon edhe në atë se baza e jetës njerëzore është familja. Ka qenë vullnet i Zotit që kjo gjini në tokë të fillojë me një familje. Fillimisht e krijoi një shpirt, pastaj prej tij e krijoi bashkëshorten e tij, dhe kështu u formua një familje prej dy bashkëshortëve… Sikur të kishte dashur Zoti, në fillim do të krijonte shumë meshkuj dhe femra dhe do t’i bashkonte mes veti, ashtu që do të bëheshin familje të ndryshme që në fillim, pa patur mes tyre farefisni…por deshi Zoti që gjinia njerëzore të fillojë prej një familje…Nisur nga kjo, shihet kjo përkujdesje e madhe ndaj familjes në sistemin islam…”(Kutub, 1993:574).
Me këtë rast, është me rëndësi të nënvizohet fakti se në këtë ajet përmendet edhe gruaja, që është tregues se gruaja në Islam ka rol thelbësor e jo anësor, si që tentohet të manipulohet shpesh herë në opinion. Po në këtë kuptim, edhe në një ajet tjetër kur’anor tregohet gjeneza e njerëzimit nga një familje, gjegjësisht nga familja e Ademit, duke krijuar në këtë mënyrë një klimë tolerance dhe mirëkuptimi mes popujve. Në Kur’an qëndron:> [ El-Huxhurat:13].
-Të dërguarit e Zotit, njerëz familjar: Mesazhi i Zotit tek njerëzit nuk ka ardhur në ndonjë formë magjike, por përmes rrugës natyrore të të deleguarve, gjegjësisht mesazhi hyjnor u ka ardhur njer[zve përmes të dërguarve të Zotit të cilët janë njerëz të zgjedhur nga Zoti për ta kryer këtë funksion madhështor. Në tekstet fetare bëhet thirrje që të dërguarit e Zotit të merren shembull nga popujt e tyre, ngase ata janë dërguar që të jenë bartës të emsazhit dhe në të njejtën kohë të jenë edhe shembull që do të ndiqen nga njerëzit. Po qese analizohet biografia e tyre, do të shihet se ata kanë qenë njerëz familjar, gjegjësisht kanë patur familje, fëmijë dhe bashkëshorte, bile martesa dhe formimi i familjes, nga aspekti fetar, koncipohet si ligj i të dërguarve të Zotit. Në Kur’an qëndron:> [Er-Ra’d:38 ]. Po ashtu, Kur’ani flet për tër të dërguar të Allahut të cilët janë lutur për familjet e tyre, si dhe e kanë falënderuar Zotin që ju ka falur fëmijë dhe familje. Ja si e përshkruan Kur’ani lutjen e njërit nga të dërguarit e Zotit, Ibrahimit, paqa e Zotit qëftë mbi të: > [Ibrahim:39-41]. Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe fakti se Islami aq sa i kushtoi kujdes familjes, jo vetëm që e bëri tipar të të dërguarve të Zotit, por edhe e ndaloi murgërinë dhe ndalimin nga martesa. Adhurimi sipas mësimeve islame, assesi nuk nënkupton distancim nga familja dhe jeta intime me bashkëshorten, bile lidhjen intime legale me bashkëshorte e konsideroi formë të adhurimit marrë parasyshë dobitë e shumta që vijnë prej kësaj, si:vazhdimi i gjinisë njerëzore; largimi nga lidhjet ilegale intime me femra që janë amoralitet; mbrojtja e nderit të njeriut; vënia e lidhjeve familjare mes njerëzve, etj. Transmetohet se i dërguari i Zotit, Muhamedi, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:”Martesa është tradita ime, e kush largohet nga tradita ime, nuk është në rrugën time” ( Hadithin e ka shënuar Ibn Maxheh).
-Mirësia ndaj familjes, vlerë fetare: Poqese kthehemi në traditën profetike, do të gjejmë një varg thëniesh profetike që i referohen familjes dhe kujdesit që duhet patur muslimani ndaj familjes, e që janë dëshmi e qartë për pozitën e familjes në Islam marrë parasyshë se thëniet dhe veprat e profetit Muhamed janë burim i dytë i të drejtës islame. Në fakt, është mjaft indikativ fakti se profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, e ka përvijuar njeriun e mirë si njeri që është i mirë për familjen e vet. Bile këtë e ka shprehur në superlativ. Transmetohet se profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:”Më i miri prej jush është ai që është ma i mirë për familjen e vet, e edhe unë jam ma i mirë për familjen time” (Hadithin e kanë shënuar:Tirmidhiju, Ibn Maxheh dhe Ibn Hibbani). Në këtë hadith duhet nënvizuar dy momente:a) Vlerësimi profetik se ma i dobishëm nga njerëzit është ai që është ma i dobishëm për familjen e vet. Kjo është vërtet ashtu, ngase ai që nuk është i dobishëm për familjen e tij, si mund të jetë i dobishëm për tjerët?! Ai që e neglizhon familjen e vet, realisht nuk mund të jetë i dobishëm dhe të përkujdeset për tjerët; b) Praktika profetike e të qenit i dobishëm për familjen e vet. Po ashtu, transmetohet se në një rast tjetër, profeti ka thënë:”Besimtarët me besim më të kompletuar, janë ata që kanë moral më të mirë, e më të dalluar nga ata, janë ata që janë më të dalluar ndaj grave të tyre” (Hadithin e kanë shënuar Tirmidhiju dhe Ahmedi). Pra, çështja e familjes, edhe atë duke e theksuar kujdesin dhe mirësinë ndaj familjesm ka qenë në qendër të thënieve dhe praktikës profetike.
-Familja, bazament i shoqërisë: Familja është tulla e parë e shoqërisë dhe realisht zhvillimi dhe mirëqenia e një shoqërie mvaret nga ajo se sa e zhvilluar dhe e ngritur është familja. Nuk mund të flitet për shoqëri të shëndoshë, nëse ballafaqohemi me problemin e familjes së shpërbërë dhe të pa konsoliduar në shoqërinë e tillë. Së këndejmi, Islami familjen e trajton si çështje shoqërore nga e cila mvaret edhe ardhmëria e shoqërisë, për këtë edhe ia përkushtoi gjithë këtë kujdes të madh. Në këndvështrimin islam, familja ka rol biologjik dhe kulturor. Roli biologjik demonstrohet në vazhdimësinë e llojit njerëzor, gjegjësisht përmes familjes mbetet në jetë gjinia njerëzore. Ndërkaq, roli kulturor shihet në atë se familja është forca që bën transmetimin e vlerave kulturore dhe civilizuese prej një brezi në brezin tjetër. Familja e formuar dhe e konsoliduar bën kultivimin e vlerave kulturore të një populli dhe bartjen e tyre në gjeneratat e ardhëshme. Së këndejmi, Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe edukimit të brezave dhe ka theksuar se trashëgimia më e vlefshme që mund t’ia len prindi fëmijut është edukata. Në këtë kontekst është edhe thënia e profetit Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të:”Kur vdes njeriu i ndërpriten të gjitha punët me përjashtim të tre punëve:lëmoshës së rrjedhshme; diturisë dhe veprave shkencore nga të cilat kanë dobi njerëzit dhe fëmijut të formuar drejtë i cili bën lutje për të” ( Hadithin e ka shënuar Muslimi dhe tjerë).
-Ndalimi i abortit: Kur flitet për rëndësinë e familjes në Islam, nuk bën pa e përmendur edhe këtë element të rëndësishëm, gjegjësisht ndalimin e abortit. Me qëllim të mbrojtjes së familjes dhe të shoqërisë në prëgjithësi nga rënia e natalitetit dhe plakjes së popullatës, Islami e ka ndaluar abortin, me përjashtim të rasteve të veçanta kur kjo është kërkesë e mjekut për t’u mbrojtur shëndeti i nënës.
-Zgjedhja e bashkëshortes: Islami në drejtim të mbrojtjes së familjes, ka paraparë edhe masa preventive. Kështu, për të mos ndodhur deformime familjare, Islami e thirr njeriun të mendojë mirë para se të martohet se çka do të zgjedh për veti. Në këtë drejtim, instruksionet janë të qarta se kriter për zgjedhje të bashkëshortes duhet të jetë morali. Kjo bëhet me qëllim që të sigurohet edukatore e denjë për fëmijët dhe shtyllë e shëndoshë e familjes e cilas do të dijë të menaxhojë drejt me resurset njerëzore dhe materiale të familjes. Profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, në një thënie të tij këtë e ka shpjeguar qartë me fjalët:”Gruaja martohet për katër gjëra:”Motiv për t’u martuar me një grua mund të jenë katër gjëra:Pasuria, bukuria, pozita dhe feja-morali. Po ju zgjidhnie të fundit, do të jeni fitues”. (Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi). Marrë parasyshë rëndësinë e familjes, profeti Muhamed, paqa dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka urdhëruar që të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen e bashkëshortes. Së këndejmi, shihet qartë se martesa në Islam, nuk e ka për qëllim thjesht kryerjen e një nevoje si që janë marrëdhëniet intime, edhe pse edhe ato e kanë funskionin e vet, por martesa ka një qëllim shumë ma madhor:vazhdimësinë e llojit njerëzor dhe formimin e familjes së shëndoshë, nga e cila mvaret edhe shoqëria. Për këtë, qe urdhër i profetit që të zgjidhet për bashkëshorte femra e moralshme dhe e përgjegjëshme e cila do të jetë e aftë ta kryej rolin e saj si nënë dhe edukatore. Poqese ishte për qëllim vetëm kënaqja e epshit, atëherë do të thoshte të zgjidhet femra e bukur.