Merxhan Jakupi
Sipas Aristotelit, ekzistojnë tre lloj shokësh. Të parët janë shokët e aventurave apo të qejfit. Të dytët janë shokët e interesit, kurse të tretët janë shokët e shpirtit. Sipas filozofit grek, shokët e aventurave dhe shokët e interesit mund të kenë marrëdhënie miqësore mes tyre që mund të zgjasin në periudha të shkurtra kohore. Arsyeja është se këta kanë karaktere apo tipare të ndryshme. Këta shokë nuk mund të arrijnë të identifikojnë shpirtrat, unin dhe egon e tyre, prandaj miqësia e tyre zhduket. Shokët e shpirtit janë të lidhur mes tyre intimisht. Ata i lidh dashuria, sinqeriteti, intuita dhe njohja e vetvetes, prandaj miqësia e tyre zgjatë deri në vdekje. Këta shokë janë të pashmangshëm. Miqësia, lidhja dhe dashuria e tyre është pa kushte, pa interes. Këta shpirtra të pa thyer, fisnikë dhe bujarë, mbeten të lidhur deri në vdekje.
LABIRINTI I KËSAJ BOTE KAOTIKE
Shumica e njerëzve në jetë kanë më së shumti një, dy ose as një shok shpirti. Unë kam pasur dy shokë shpirti në jetën time. Njëri nga dy shokët e mi, para ca dite iku nga labirinti i kësaj bote kaotike, ku ndeshen me detyrat e rënda, vuajtjet, dhimbjet dhe shumë peripecitë e tjera. Shoku im që më se dhjetë vjet dergjej në shtratin e vdekjes, një herë më tha se po të më pyetshin para lindjes se a doni të vini të jetoni në këtë botë, unë nuk do të vija kurën e kurës.
Vdekja e shokut tim të ngushtë, ADIL OSMANI, shumë më ka lënduar. Unë dhe shoku im, pjesën e madhe të jetës e kemi kaluar në mërgim, të shkëputur nga toka, gjaku dhe vendlindja. Shoku im, si gjithë brezi i parë që doli të punojë në shtetet perëndimore, janë duke u kthyer me arkivole në vendlindje, përgjithmonë që të prehen pranë varreve të gjyshërve dhe prindërve të tyre. Shoku im, Adili, pësoi të njëjtin fat, duke u kthyer me arkivol në tokën që e lindi. I ndjeri u varros pranë një varri të ri, u varros pranë vajzës së tij. Është tragjike kur prindërit varrosin fëmijët e tyre. Shokut tim, një muaj para se të ikte në jetën e amshueshme, i vdiq vajza në rrethana tragjike. Takimin e fundit për ngushëllimin e vajzës, ai më tha: “Sikur të vdisja para tre muajsh, kur isha në komë.
NJERIU ME HUMOR DHE BUZËQESHJE
Njerëzit me humor janë të lindur dhe trashëgojnë nga paraardhësit e tyre këto tipare dhe atribute. Këta individë janë inteligjentë, socialë dhe të hapur. Këta individë kanë një lloji shkëlqimi. Ata i bëjnë për të qeshur gjithë miqtë, shokët dhe shoqërinë e gjerë.
Shoku im, Adil Osmani, kishte këto tipare dhe virtyte. Një burrë inteligjent, komunikues dhe orator. Shpesh, në publik, me miq dhe shokë, rrëfente barsoleta dhe batuta, duke shpërthyer në gaz të gjithë shokët dhe miqtë. Shpesh kur fillonte me barsoleta dhe batuta, të gjithë ne na rridhnin lotët nga gazi. Dhjetë vjetët e fundit, Adili, ndonëse më sëmundje të rëndë, ai nuk e braktisi humorin, buzëqeshjen, rrëfimin e barsoletave dhe batutave. Vitet e fundit rrallë dilte, me karrocë. Shpesh, me humor, rrëfente se me njërin sy nuk shihte, kurse me tjetrin shumë pak. Por, thoshte ai, unë shoh me syrin e tretë. Ky shpirt gjigant, por tragjik, mbuloi vuajtjet me humor. Ishte një shok vërtet i shpirtit.