Lirohen nga paraburgimi tre të miturit e dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares

Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tre të mitur, të cilët dyshohen se e kanë dhunuar seksualisht një vajzë të mitur 11-vjeçare në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i njërit nga të dyshuarit me iniciale G.R, Besnik Beqiri, i cili tha se kanë kaluar 180 ditë dhe se të miturit nuk mund të qëndrojnë më shumë në paraburgim.

“Sot, nuk munden mu mbajt fëmijët në paraburgim, më shume se 180 ka qen proces teknik, sepse nuk mundem me i mbajt në paraburgim mbi 180 ditë. Nëse dënohen përfundimisht mund të kthehen në burg, por tash për tash në paraburgim nuk mund të kthehen më”, ka thënë ai, për RTV Dukagjini.

Në rast se shpallet fajtor, avokati Beqiri ka thënë se klienti i tij maksimumi mund të dënohet me 10 vite burgim.

Vendimi për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj G.R, G.J dhe Xh.S, është marrë të mërkurën nga Gjykata Supreme.

Numri i arrestimeve për dyshimet për dhunim të 11-vjeçares në muajin qershor dhe gusht të vitit të kaluar, kishte shkuar në 12.

Fillimisht ishin arrestuar 5 persona në fund të gushtit nën dyshimin për dhunim të saj në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 40 vjet burg katër të akuzuarit, tre prej tyre të mitur, në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në gusht të vitit 2022 në Prishtinë.