Juventusi insiston sërish për transferimin e Rodrigo de Paul

Rodrigo de Paul duket se do të jetë sërish një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve në Serie A.

Mesfushori argjentinas po kalon vitin e tij të dytë në Spanjë te Atletico Madrid, kur iu bashkua në vitin 2021 nga Udinese për shifrën e 35 milionë eurove.

Edhe pse pritej largimi i tij verën e kaluar nga Atletico, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe duket se këtë verë ndarja është e pashmangshme.

Juventusi vazhdon të insistojë për transferimin e lojtarit, pasi duan ta rikthejnë argjentinasin sërish në Serie A ku kishte shkëlqimin më të madh.

29-vjeçari është një futbollist i rëndësishëm i Los Colchoneros, por gjithmonë ka thënë se do të donte të rikthehej sërish në elitën e futbollit italian.

Calciomercato ka raportuar se Zonja e Vjetër është gati të paguaj deri në 35 milionë euro për transferimin e argjentinasit në Allianz Stadium.

De Paul këtë edicion ka zhvilluar 37 ndeshje në të gjitha garat ku ka realizuar tre gola dhe ka asistuar në shtatë të tjerë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo