Haxhiu akuzon PDK-në: Në kohë tuaj amistoheshin krimet serbe në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës duke të thënë se gjatë kohës së qeverisjes së tyre janë amnistuar madje edhe shfajësuar krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Është e papranueshme të mos njihet kontributi i qeverisë për adresimin e krimeve të luftës, pasi nga qeveritë e kaluara ka pasur përpjekje, kur janë udhëhequr nga PDK-ja që të amnistohen krimet që serbia i ka bërë në Kosovë”, tha Haxhiu.

Haxhiu, mes tjerash, lëshoi edhe një deklarim të ish-ministrit të Drejtësisë aso kohe, Hajredin Kuqi, që deklaronte për amnisti ndaj krimeve serbe, njofton Klankosova.tv.

“Me qenë pozitiv për krime lufte se kisha dënuar asnjë njeri, amnisti kisha bë bile edhe për palën tjetër pasi çmimi më i madh për mua është liria dhe pavarësia. Ka pasur amnistime të tilla në botë”, dëgjohej Kuqi në audion që Haxhiu prezantoi në Kuvend.

Mes tjerash, Haxhiu tha se qasjen e aministisë e kishte ndjekur edhe ish-kryeministri, Hashim Thaçi, gjatë negociatave për dialog.

“Këtë qasje e ka ndjekur edhe Hashim Thaçi gjatë dialogut dhe po mos të bëhej e madhe nga opozita asi kohe. Politikisht ka pasur përpjekje serioze që të amnistohen krimet serbe në Kosovë” tha Haxhiu.