Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në hapjen e Piramidës së restauruar duke thënë se tashmë, njerëzit do të ngjiten lehtësisht në faqet e saj me shkallë, pa nevojën për t’u zvarritur, simbol ky, sipas kryeministrit, i vështirësisë për të arritur majat.
“Nuk është e përpjeta që simbolizon pamundësinë për të arritur në majë dhe godina është kthyer në guaskën e Piramidës që u krijua për kultin e një njeriu të vetëm, tani është shpina që mban mbi kurriz gjithë këta njerëz. Parafytyroni që shpina e kësaj piramide që do të hyjë në Guiness se do të mbajë miliona njerëz,” – u shpreh Rama.
Në mbylljen e fushatës së Partisë Socialiste te Parku Olimpik, ishte kryebashkiaku Veliaj ai që bëri me dije se qendra e të rinjve të përkushtuar ndaj digjitales dhe inovacionit do të hapej këtë të enjte.
Piramida do të funksionojë për trajnime, do të ketë biblioteke, salla ku njerëzit mund të mblidhen, salla ku mund të ekspozojnë punimet e tyre dhe qendër TUMO, një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit.
Programet që do të ofrohen nga TUMO janë: animacion, zhvillim i lojërave, kinematografi, web design, muzike, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelim 3d, programim, robotik, grafike lëvizje, fotografi, media e re.