Avokati i Popullit, Naser Ziberi sot para deputetëve prezantoi raportin për punën e vitit të kaluar. Numri i parashtresave të dorëzuara nga qytetarët në këtë institucion është rritur për thuajse 20 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Qytetarët edhe më tej më së shumti ankohen për procedurat e përmbarimit, punësimit, pagimit të pagave dhe përfitimeve tjera, për shkeljen e të drejtave të tyre si konsumatorë, për problemet që kanë gjatë mbledhjes së taksave, denacionalizim, për punën e policisë, për shkeljen e të drejtave në procedurat pronësore-juridike, pastaj procedurat që kanë të bëjnë me urbanizmin, banim, kanë kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre para njësive të vetëqeverisjes lokale etj. Parashtresa ka pasur edhe nga të burgosurit, veçanërisht për ushtrimin e të drejtës për kujdes shëndetësor, por edhe për kushtet e vështira të jetesës.
“Statistikat tregojnë se në vitin raportues 2022 janë pranuar dhe depozituar 3.209 parashtresa, ndërsa nga viti paraprak është vepruar për 273 lëndë ose janë proceduar gjithsej 3.482 lëndë. Numri i parashtresave të pranuara paraqet rritje prej rreth 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar gjë që ishte e pritshme duke pasur parasysh faktin se gjendja pas pandemisë është stabilizuar dhe të gjitha institucionet, përfshirë Avokatin e Popullit kanë punuar me kapacitet të plotë si në aspektin kohor ashtu edhe për sa i përket numrit të të punësuarve”, tha Ziberi.
Nga numri i përgjithshëm i parashtresave është vepruar për 2.173, ndërsa për 737 nuk është iniciuar për shkak të kompetencave. Në 683 raste të iniciuara, Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut dhe ka vepruar në tërësi. Nga gjithsej 3.209 parashtresa të paraqitura në vitin 2022, numri më i madh ose 1.344 apo 41.85 i referohen shkeljeve të të drejtave të shërbimeve dhe institucioneve publike. Rreth 763 ose 23.78 për qind i referohen shkeljes së të drejtave nga pushteti qendror. Rreth 350 kërkesa ose 10.91 i referohen shkeljes së të drejtave nga pushteti vendor, 277 ose 8.63 i referohen shkeljes së të drejtave nga pushteti gjyqësor, ndërsa 168 kërkesa i referohen shkeljes së të drejtave nga personat juridikë.
“Numri më i madh i parashtresave të pranuara dhe të parashtruara i përket mbrojtjes së të drejtave në fushën e drejtësisë, nga të cilat 534 janë ose 16.64”, tha Ziberi.
Avokati i Popullit Ziberi thekson se më shumë shqetësojnë të dhënat për numrin më të madh të shkeljeve në mesin e fëmijëve, ndërsa prokuroria ka konstatuar një formë të rëndë të diskriminimit, përkatësisht segregacionin në dy shkolla në Manastir dhe Shtip.
“Për këtë rast Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka sjellë aktgjykim në të cilën është konstatuar segregacioni. Bëhet fjalë për SHF Gjorgji Sugarev në Manastir dhe SHF Goce Dellçev në Shtip, ku kemi konstatuar se ka paralele që kryesisht përbëhen nga fëmijë romë. Në këto shkolla ka dukuri të shpeshta të dhënies së pëlqimit për regjistrimin e nxënësve, kryesisht nga bashkësia etnike maqedonase në shkolla tjera komunale edhe pse sipas vendbanimit nxënësit i përkasin shkollave të përmendura”, tha Ziberi.
Ziberi para deputetëve foli edhe për shkelje dhe parashtresa tjera, si dhe për situata të caktuara të konstatuara nga Avokati i Popullit.
Dejanço Eftimov nga VMRO-DPMNE-ja theksoi se nuk ka ndonjë fidbek nga Qeveria për ndërmarrjen e masave për tejkalimin e shkeljeve dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Deputeti konsideron se raporti është vëllimor dhe se Qeveria nuk e respekton Avokatin e Popullit.
Mbledhja është dashur të vazhdojë në orën 14:30.