Vendimi për amendamentet e Kushtetutës do të duhet të merret nga vetë shteti

Çështja për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë është një vendim sovran që duhet ta marrë vetë shteti, theksoi sot ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Dejvid Gir.

“Lidhur me pyetjen kam dy vërejtje, të cilat nuk janë pjesë e debatit publik për pyetjen. Në fakt, e para është se po jetojmë në kohë jashtëzakonisht të rëndësishme, me një vrull të ri në kuadrin e procesit të zgjerimit të BE-së, përmes zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. Kjo bazohet në konkluzionin e prerë se kjo është për interesin e përbashkët të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë të sigurisë”, tha Gir, i cili ishte për një vizitë pune në Komunën e Debërcës.

Kur bëhet fjala për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Gir tha se rruga e vendit për anëtarësim në BE është e hapur, negociatat janë në vazhdim, Brukseli dëshiron ta shohë vendin si një anëtar të plotë të Unionit, me interes për vazhdimin e këtij procesi.

“Sa i përket konkretisht ndryshimeve në Kushtetutë për përfshirjen e personave që vetëidentifikohen si bullgarë, në fakt këto ndryshime nuk do të jenë dramatike pasi do të jenë vetëm një konsolidim i vlerësimit tashmë të mirë që gëzon vendi kur bëhet fjalë për rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike”, tha ambasadori evropian.

Gir theksoi se çdo vend e rregullon Kushtetutën sipas specifikave, interesave, rrethanave të tij.

“Përfshirja e disa komuniteteve në Kushtetutë nuk kërcënon interesat kombëtare të shtetit. Megjithatë, është një çështje që duhet të vendosë vetë shteti”, theksoi euroambasadori Gir.