Të paktën 53 persona humbën jetën si pasojë e sulmeve ajrore të ushtrisë së Mianmarit kundër fshatrave të rezistencës, në një prej incidenteve më të dhunshme të luftës civile në vend që vijon tashmë prej disa vitesh.
Sipas të mbijetuarve, mes viktimave ka gra dhe fëmijë, ndërkohë që bilanci i fataliteteve pritet të jetë edhe më i madh, për shkak të të plagosurve të shumtë.
Këtë herë, objektiv i helikopterëve të regjimit ishte rajoni i Sagaing në veri të vendit, i cili që prej ditëve të para e ka kundërshtuar juntën ushtarake në pushtet.
Ushtria ka shtuar ndjeshëm ofensivën ndaj kundërshtarëve të saj dhe komunitetet në Sagaing janë rivalët më të fortë të saj, duke krijuar dhe milicinë e tyre.
Një dëshmitarë nga vendngjarja tregon se në orët e para të mëngjesit një avion luftarak lëshoi disa bomba ndaj fshatit, më pas një helikopter qëlloi ndaj shtëpive për më shumë se 20 minuta.
Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se që prej nisjes së luftës civile në Mianmar mijëra persona kanë humbur jetën, ndërkohë që 1.4 milionë të tjerë kanë braktisur vendin e tyre. Ajo që është edhe më e rëndë është se 1/3 e popullsisë ka nevojë për ndihma humanitare për të siguruar ushqimin.