U shpall terrorist pasi kundërshtoi çmimin e lartë të frutave, futbollisti i vë flakën vetes

Futbollisti tunizian Nizar Issaoui ka vdekur, pasi i vuri flakën vetes gjatë një proteste kundër padrejtësisë së policisë.

Në një video të publikuar në internet, ai shihet duke bërtitur dhe duke thënë se ishte akuzuar për terrorizëm nga oficerët pas një mosmarrëveshje me një shitës frutash. Në një postim tjetër, ai tregoi se e dënon veten me “vdekje nga zjarri”.

Në funeralin e futbollistit 35-vjeçar ditën e djeshme në qytetin e tij të lindjes Haffouz, pati dhe përleshje me policinë.
Issaoui ishte akuzuar për terrorizëm nga oficerët e policisë, pasi u ankua se nuk ishte në gjendje të blinte banane për më pak se 10 dinarë (3,30 dollarë; 2,66 £) kilogrami, dyfishi i çmimit të vendosur nga qeveria, thonë mediat e huaja.

Në një postim në Facebook, futbollisti kishte shkruar: Për një mosmarrëveshje me dikë që shet banane me 10 dinarë, akuzohem për terrorizëm në komisariat. Terrorizëm për një ankesë për banane… Nuk kam më energji.

Në shenjë proteste, Issaoui dogji veten për vdekje.

Dhuna shpërtheu në funeralin e futbollistit, ndërsa demonstruesit hodhën gurë ndaj policisë që hodhi gaz lotsjellës. Ai ishte një ish-lojtar për skuadrën tuniziane të ligës së lartë, US Monastir dhe baba i katër fëmijëve.

Vëllai i tij u tha gazetarëve vendas se Issauoi pësoi djegie të shkallës së tretë dhe mjekët nuk ishin në gjendje t’i shpëtonin jetën.

Veprimi i tij ishte një jehonë e një proteste të vitit 2010, kur shitësi ambulant Mohamed Bouazizi u dogj. Kjo nisi një valë demonstratash që çuan në përmbysjen e Presidentit Zine al-Abidine Ben Ali vitin e ardhshëm.

Presidenti aktual, Kais Saied, ndezi polemika në vitin 2021, kur shkarkoi kryeministrin dhe pezulloi parlamentin. Që atëherë, ai ka miratuar një kushtetutë të re që garanton dominimin e tij.

Qeveria tuniziane nuk e ka komentuar vdekjen e Issaouit.