Të paktën katër persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën sot në një sulm me bombë në një automjet policie në Pakistanin jugperëndimor, tha policia lokale.
Shpërthimi ndodhi në një treg të frekuentuar në Quetta, kryeqyteti i Balochistanit, ku grupet separatiste lokale dhe lëvizjet islamiste shpesh kryejnë sulme të tilla që synojnë forcat e ushtrisë ose policisë.
“Hetimet fillestare tregojnë se shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes i improvizuar që ishte vendosur në një motoçikletë dhe shpërtheu nga distanca,” i tha AFP një oficer policie, Azfar Mehsar.
Të paktën katër persona u vranë, dy policë dhe dy civilë.
Wasim Baig, një zëdhënës i Spitalit Sandeman, më i madhi në Quetta, konfirmoi këtë rrëfim, duke sqaruar se një vajzë 5-vjeçare ishte në mesin e të vdekurve.
Deri më tani asnjë organizatë nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.