Nedai Shaolli
Kjo diçiturë poshtë flet qartë se ka tri dekada me radhë shqiptarët në ‘drzhavën Severna’ janë lënë pas dore si popull në fund të greminës nga pushteti dhe partitë shqiptare.
Ato i vizitojnë shqiptarët vetëm kur i duhen votat e tyre dhe vetëm kaq, sapo ka mbaruar procesi zgjedhor ata nuk interesohen më për ta nëse janë gjallë apo vdekur, duke i lënë në mëshirë të fatit mu fund të pusit pa ia ‘zgjatur dorën’ për të dalë nga ajo ‘gropë’ shqiptarëve jo militantë, që çdo ditë e më shumë po ia bëjnë jetën skëterrë.
Partiçkat tona i kanë mundësitë për t’i ‘zgjatur dorën’ shumicës së shqiptarëve të dalin nga fundi i pusit për t’i ofruar atyre një jetë më të mirë por jo, ato mbështesin dhe punësojnë në poste të zgjedhura vetëm militantët e besueshëm dhe jo popullin e thjesht që i voton ata për tridhjetë vjet rresht dhe prapë se prapë nuk e kupton, por voton për ‘gardianët e greminave’ që ruajnë shqiptarët të mos dalin nga fundi i pusit!
Po kjo shumicë, voton përsëri për ata që i mbajnë shqiptarët si skllevër ‘në fund të pusit’ duke punuar dhe u cfilitur për një kafshatë bukë, apo siç thotë ajo shprehja e famëshme se ata ‘punojnë për të popit’!
Kështu, populli i thjesht ka frikë të reagoj, të kritikoj, të kërkoj llogari apo ca më tepër, të kërkojë që partitë ”t’i japin dorën” dhe ta nxjerrin nga gremina ku ata i kanë futur si skllevër modern, por përkundër këtij fakti ata të gjorë shpresojnë të besojnë në broçkullat e padronëve se një ditë do bëhet mirë.
Vitet kalojnë por shumica e shqiptarëve ngelën me shpresën duke pritur ‘greminave’ se një ditë partiçkat tona do bëjnë kthesën e madhe dhe do të solidarizohen me popullin e thjeshtë, se ata ‘borgjezët e rinj’ do t’ia zgjatin ‘dorën e ngrohtë të solidaritetit human’ për t’i nxjerr ata nga gremina ku janë zhytur me dekada të tëra.
Në njëfarë mënyre partiçkat tona arsyetohen me sedrën e tyre borgjeze nga fakti se ato kanë programe dhe ideale të djathta dhe se nuk janë shoqata humainitare për t’i dhënë lëmoshë gjithë jetës leckamanëve dhe varfanjakëve të shtresës së ulët që zvarritet rrugëve për një copë bukë.
Ato thjesht mbrojnë programet dhe parimet e së djathtës liberale që në ‘drzhavën Severna’ nuk ka elektorat për ta, ku vetëm 3/4% e popullsisë shqiptare përbëjnë klasën e lartë dhe të mesme dhe shumica dërmuese i takon shtresës së ulët.
Dhe paradoksi shqiptar qëndron pikërisht në atë se shtresa e ulët nuk mbrohet dhe as nuk përfaqësohet nga asnjë parti politike pasi ato të gjitha janë të djathta.
Në ‘drzhavën’ tonë nuk ka asnjë parti shqiptare të majtë që mësa duket lidhet me ndjenjën inferioritetit dhe të fajit që vjen emërtimi e majtë si gogol i komunizmit.
Ndërsa në Kosovë Lëvizjen Vetëvendosje injoranca jonë e simpatizojnë dhe mbështesin për qëndrimet e saj edhe pse është e majtë dhe anëtare e Internacionales Socialiste Ndërkombëtare, kurse në ‘drzhavën Severna’ një lëvizje majtiste si Vetëvendosja nuk i honeps!
Shumica e shqiptarëve të ‘drzhavës’ mbështesin dhe votojnë të djathtën borgjeze dhe oligarkët e vegjël ndërsa vetë përfaqësojnë shtresën e ulët dhe të paprivilegjuar, që voton dhe mbështet ‘gardienët e saj të burgut’ që i ruan ata mos ia mbathin nga burgu, kontradita dhe çudira shqiptare këto që gjithsesi janë paradoks i paparë.
Kësisoj, shqiptarët e kësaj ane të fundosur në fund të pusit nga pushteti dhe partitë politike shqiptare nuk kanë nga të venë, ku vetëm rinia është zgjuar nga letargjia e tri dekadave të demonkracisë liberale dhe po ‘çanë ferrën’ duke kërkuar zgjidhje drejt Gjermanisë për një jetë më të mirë.