Rama ka njoftuar se tashmë janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të ngritur një rezolutë të re në Këshillin e Evropës, kundër Dick Martey
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se tashmë janë bërë nënshkrimet e nevojshme për të ngritur një rezolutë të re në Këshillin e Evropës, që do të jetë rezolutë mbi atë të vitit 2011, të senatorit Dick Marty që kishte akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh në Shqipëri e Kosovë. “I mblodhëm më në fund firmat në asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore në Shqipëri e Kosovë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Kryeministri shqiptar thotë se nuk ka forcë që mund ta damkosë luftën çlirimtare në Kosovë. Rama i cili po qëndron për vizitë në Itali ka folur edhe për nisjen e gjykimit në Hagë. Ai e konsideron absurde mbajtjen në qeli të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij ish-krerët e UÇK-së luftuan kundër spastrimit etnik, ndërsa sot janë prapa hekurave pa asnjë akuzë.
Rama heq një paralele me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, teksa shprehet se rasti i ish-krerëve të UÇK-së e bën të mendojë se një ditë edhe ai, që sot shihet si një hero, mund të shkojë prapa hekurave.