OKB, paralajmërim për rrezikun e lartë të përdorimit të armëve bërthamore

Shefja e OKB-së për çështjet e çarmatimit paralajmëroi të premten se rreziku i përdorimit të një arme bërthamore tani është më i lartë se në çdo kohë që nga Lufta e Ftohtë.“Lufta në Ukrainë përfaqëson shembullin më të fortë të këtij rreziku”, tha Përfaqësuesja e Lartë e OKB-së për çështjet e Çarmatimit, Izumi Nakamitsu në një takim të Këshillit të Sigurimit.

Në takimin e kërkuar nga Ukraina, të cilën e mbështetën Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, u diskutua njoftimi i Rusisë më 25 mars se po planifikon të dislokojë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.“Kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me armët bërthamore, dëshiroj të jem e qartë që në fillim: të gjitha shtetet duhet të shmangin marrjen e çfarëdo veprimi që mund të çojë në përshkallëzim, gabim ose llogaritje të gabuar”, tha ajo. “Të gjitha shtetet që janë pjesë e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore duhet t’u përmbahen rreptësisht angazhimeve dhe detyrimeve të tyre, që burojnë nga Traktati”.

Zonja Nakamitsu u kërkoi të gjitha vendeve që të kthehen në dialog dhe të ulin tensionet. Ajo i bëri thirrje veçanërisht Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që të kthehen në zbatimin e plotë të traktatit më të madh të kontrollit të armëve midis dy fuqive.Rusia tha muajin e kaluar tha se nuk do ta zbatonte më traktatin dhe njoftoi këtë javë se nuk do të ndante më informacione lidhur me armët e saj bërthamore, që zakonisht bëhet dy herë në vit. Uashingtoni tha se do të pezullojë ndarjen e të dhënave të tij bërthamore me Rusinë në një përpjekje për të inkurajuar Moskën që të rikthehet tek zbatimi i traktatit.