Një person raporton se dikush shtiu me armë në drejtim të tij derisa po e ngiste veturën

Një person ka raportuar në polici se derisa po ngiste veturën, dikush shtiu me armë në drejtim të tij, të shtunën rreth orës 23:30, në Prishtinë.

Sipas policisë, vetura e viktimës u godit me katër predha.

Viktima ka raportuar se dyshon se kryesi i këtij sulmi mund të jetë një person që kishte mosmarrëveshje të mëhershme me të. I dyshuari është kërkuar në shtëpinë e tij, por nuk është gjetur aty.

“Viktima mashkull kosovar ka njoftuar policinë se derisa ishte duke lëvizur me veturë, në drejtim të tij është shtënë me armë nga një veturë në lëvizje. Sipas viktimës i dyshuar i rastit mund të jetë një mashkull kosovar me të cilin kishin një mosmarrëveshje të mëhershme. Vetura e viktimës është goditur me katër predha si dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja. I dyshuari është kërkuar në shtëpinë e tij, por nuk është gjetur dhe të njëjtit i është lënë ftesë të paraqitet në stacion policor”, thuhet në raportin e policisë.