“Në 5 vite kam parë ndryshime”, gazetarja britanike në ‘podcastin’ e Ramës: Dua të rris vajzën dhe të plakem këtu

Gazetarja britanike, Alice Taylor ishte e ftuara e radhës në episodin e kësaj fundjave të podkastit “Flasim” të kryeministrit Rama. Ajo foli për ndryshimet që ka parë në Shqipëri gjatë këtyre pesë viteve që jeton në vendin tonë. Ajo shprehu dëshirën për të rritur vajzën dhe për t’u plakur këtu.

“Në 5 vjet e gjysmë ka pasur jashtë mase ndryshime. Disa prej tyre janë të mira, disa prej tyre nuk jam domosdoshmërisht tifoze e tyre. Është më e lehtë sot që t’i bësh gjërat këtu. Kështu edhe rrugët në mbarë vendin janë më të mira. Po, ka pasur ndryshime. Po sigurisht, ka gjëra që kur jeton këtu për një kohë të gjatë dhe zhytesh më shumë në këtë shoqëri dhe fillon t’i kuptosh, fillon të shohësh dhe dua që t’i paraprij diskutimit tonë, duke thënë se kritika ime dhe kemi folur për këtë, është rezultat i pasionit, sepse kur shkruaj një artikull, shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale, në qoftë se shoh diçka që më mërzit, mërzitem thellësisht… Kështu del ajo që shkruaj sepse unë dua që gjërat të ndryshojnë. Dua të rris vajzën time këtu. Dua të plakem këtu. Pra nuk dua të bëhem e bezdisshme thjesht për hir të kësaj”, tha ajo.

Gjatë bisedës me Taylor, kryeministri Rama u ndal edhe tek emigrimi.

“Për shembull, në një prej shkrimeve tuaja, të cilat më duhet ta pranoj, janë të sakta kur mbështeten në fakte, pra është shumë e vështirë që t’ju kapësh në gabim lidhur me faktet, po jo aq e vështirë t’ju kapësh gabim në shprehjen e opinioneve, por opinionet janë të lira e legjitime gjithsesi – ju thoni “në 2019, 360.699 persona u larguan nga vendi, e barasvlershme me 12.4%”. Kam këtu të dhënat, i kam sjellë sepse është e rëndësishme që të përpiqemi t’i ndajmë këto të dhëna në çdo rast që kjo temë diskutohet. Në 2019, personat që u larguan nga vendi ishin në fakt 43.850 dhe nga ana tjetër, ka shumë rëndësi edhe një dimension tjetër, përveç atyre që largohen e që padyshim janë më të shumtë se ata që kthehen, kemi megjithatë edhe ata që kthehen. Janë të kthyer nga vite të gjata emigrimi apo të kthyer nga përpjekje të dështuara për të emigruar”, tha Rama.

Më pas, ai e pyeti se çfarë do të bënte ajo nëse do të ishte në vendin e tij për të parandaluar këtë fenomen.

“Në mënyrë që gjërat të bëhen më mirë duhet të kuptojmë se çfarë e nxit problemin dhe nuk mendoj se kjo është tërësisht e qartë. Mendoj se ka shumë e shumë faktorë të ndryshëm që luajnë rol këtu si p.sh besoj që nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit që besojnë se ata nuk mund të gjejnë një punë të mirë këtu dhe paga nuk ështe e lartë mjaftueshëm, që nuk ka arsim të mirë. Por mendoj se është një cështje më e thellë në themel të të gjitha këtyre dhe ka të bëjë me atë që ndodhi në fund të komunizmit, në ’97-ën. E shoh ndoshta nga pikëpamja e një personi të jashtëm por mendoj se ka mbetur një plagë mjaft e hapur në shoqërinë shqiptare nga ajo çka ka ndodhur në të kaluarën. Dhe mendoj se në një farë mënyrë kjo iu është përcjellë brezave të rinj dhe të rinjve dhe mendoj se kjo ushqen një lloj ndjesie të huajsimi, duke qenë se nuk ka një pajtim të vërtetë, çka çon në ndjesinë e shkëputjes së njerësve nga vendi. Janë të zhgënjyer, dëgjojnë prindërit e tyre që ankohen dhe e ndjejnë këtë lloj dëshpërimi në një farë mënyre. Dhe mendoj se kjo është diçka e kombinuar me faktorët e tjerë, që natyrisht ka të bëjë edhe me dëshirën en njerëzve për të emigruar. Sidoqoftë me faktorët ekonomikë e me punën i shtohet asaj kësaj dukurie në Shqipëri.”, u shpreh gazetarja./abcnews.al