Kryetari i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka përsëritur sot se nuk do të marrin pjesë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese, duke vlerësuar se në këtë fazë është e pakuptimtë dhe se qeveria dëshiron ta politizojë procesin.
Pas thirrjes së djeshme të zëvendëskryeministrit për çështje evropiane Bojan Mariçiq drejtuar VMRO-DPMNE-së që të përfshihen në proces dhe t’i shprehin qëndrimet e tyre në kuadër të grupit punues, Mickoski tha se nuk do të merret më me atë çështje.
“Ne nuk do të marrim pjesë në grupin e punës, e kemi thënë që shumë herë në të kaluarën i kemi dhënë edhe arsyet sepse puna e këtij grupi punues në këtë fazë është totalisht e pakuptimtë. Dhe ekspertët më të lartë juridikë komentojnë për këtë, se ky hap i parë është një përcaktim praktik i nevojës për hapjen e Kushtetutës, dhe nëse janë dy të tretat, atëherë tashmë është formuar Komisioni Kushtetues dhe janë shqyrtuar, hartuar amendamente etj. Tani është krejtësisht e kotë, duan ta politizojnë procesin. Këtu edhe një herë e deklaroj publikisht qëndrimin tim dhe nuk do të merrem më me atë çështje, se VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në punën e Komisionit të themeluar nga Ministria e Drejtësisë, i cili synon të punojë në amendamentet që nevojiten për ndryshimet kushtetuese”, tha Mickoski, duke shtuar se VMRO-DPMNE i qëndron pas propozimit për modelin kroat.