Shuma totale për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D në vend të 1,3 miliardë euro do të rritet deri në 2,3 miliardë euro, vlerësoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në brifingun e sotëm me gazetarë. Këtë e bazon në atë se në marrëveshje janë paraparë gjoba, por ka edhe pikë për shpenzime të cilat nuk janë paraparë se sa do të kushtojnë. Duke u thirrur në Marrëveshjen që kishte para vetes, në brifing, Mickoski tha se janë paraparë gjoba në tre baza.
“Më së paku 63 milionë euro duhet t’u paguhen gjoba “Bechtel dhe Enkës” për shkak se nuk është ndryshuar Ligji për marrëdhënie pune për 60 orë pune në javë, ndërsa afati është 6 maji. Njëkohësisht shteti duhet t’i paguaj realizuesit 1 milion e 265 mijë euro çdo muaj deri në përfundimin e projektit dhe 900 mijë euro çdo muaj nëse nuk sillet ligji.”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Thotë se në marrëveshje ekzistojnë pikë siç janë: ndriçimi i autostradave dhe tuneleve dhe ventilimi i tyre, më pas elektrifikimi i autostradës, pika pagesore dhe të tjera për të cilat nuk është cekur se sa do të kushtojnë, që sipas tij do ta rrisin shumën për 30%, përkatësisht për 1 miliardë euro.
“Obligimi i parë që e ka marrë shteti është pagesa e paradhënies prej 50 milionë eurove, ndërsa pika e dytë si obligim financiar është pagesa e 117 milionë eurove realizuesit për përgatitjen e ndërtimit. Ka pikë për menaxhimin e projektit në vlerë prej 3 milionë eurove. Këto janë 172 milionë euro paradhënie për pagesë deri më tani. Del se do të paguajmë 300 milionë euro me gjobat së bashku, ndërsa lopata ende nuk është hedhur.”- tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, thotë se kanë filluar procedurat për projektim dhe korridoret 8 dhe 10D do të fillojnë të ndërtohen, ndërsa marrëveshja do të prezantohet para deputetëve që kanë certifikatë të sigurisë.
“Kemi korridorin 8 dhe 10D që do të fillojnë të ndërtohen për shkak se tashmë kanë filluar procedurat për projektim sepse bëhet fjalë për marrëveshje që është për projektim dhe realizim. Ekipi i Qeverisë është i gatshëm në Komision ose në trupin që e ka caktuar Kuvendi menjëherë të shkojë dhe ta prezantojë Marrëveshjen me të gjitha detajet para gjithë deputetëve që posedojnë certifikatë adekuate të sigurisë.”- pohoi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Në lidhje me deklaratën e Mickoskit se nuk është kundër ndërtimit të korridoreve, BDI doli me komunikatë ku e përshëndesin mbështetjen e Mickoskit.
“Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet mbështetjen e VMRO DPMNE-së për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D të shprehur nga ana e Hristijan Mickoskit. Marrëveshja është obligim që deputetët njëzëri e miratuan dhe e obliguan Qeverinë të veprojë. Projekti i ndërtimit të autostradave të Korridorit 8 dhe 10-D është një projekt ambicioz me rëndësi kombëtare për të ndërtuar 109 kilometra autostradë në 57 muaj.”- thanë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Konsorciumi amerikano-turk Bechtel dhe Enka është paraparë që të ndërtojë katër akse të autostradës së korridoreve 8 dhe 10D. Afati për ndërtim është deri në vitin 2027.