Marrëveshja Kosovë-Serbi, Osmani: Do të na afrojë drejt BE, jo ndaj njëri-tjetrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për mediat austriake ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë do t’i afrojë drejt BE-së dhe jo ndaj njëri-tjetrit. Osmani shton se marrëveshja e udhëhequr nga palët ndërkombëtare do të sjellë më shumë stabilitet në rajon.

“Jo më afër njëri-tjetrit, por më afër BE-së. Suksesi në procesin e udhëhequr nga BE do të sjellë më shumë stabilitet në rajon. Marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese për herë të parë. Ajo njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Më e rëndësishmja, në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.”, tha ajo.

Osmani ka kritikuar gjithashtu edhe ministrin e Jashtëm serb Daçiç dhe ka paralajmëruar përpjekjet e Moskës për destabilizim.

“Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë së fundmi në Vjenë se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Neni 4 aty e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Mund të shkaktojë probleme me pranimin e Kosovës në OKB. Me kalimin e kohës do ta zgjidhim edhe atë. Aktualisht prioritetet tona janë anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në organizata si Këshilli i Evropës dhe sigurisht integrimi në BE.

Daçiç ka thënë në Vjenë se Kosova duhet së pari të zbatojë marrëveshjen e vjetër për krijimin e asociacionit të komunave serbe. Vetëm atëherë Beogradi do të ndërmarrë hapat e ardhshëm në zbatimin e planit të normalizimit. Një plan i tillë nuk është i përfshirë në marrëveshjen që kemi arritur me Beogradin.

Por nuk mendoj se shumë njerëz në bashkësinë ndërkombëtare e marrin seriozisht zotëri Daçiç dhe atë që ai bën. Ai tashmë në karrierën e tij politike ka treguar se ndryshon çdo ditë pozicione”, ka thënë Osmani.

Mes të tjerash, Osmani ka thënë se është e bindur që drejtësia do të triumfojë për ish krerët e UÇK-së që po përballen me akuza në Hagë.

“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se fundi i këtij procesi do ta konfirmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare në mbrojtje të njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviç”, tha Osmani për gazetën austriake “die Presse”.