LIVE| Prokuroria në Hagë: Personat që u ndaluan jashtëligjshëm, u akuzuan si kolaboracionist

Në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi si dhe Rexhep Selimi.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili vie nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila drejtohet nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se pret që e vërteta të del në shesh.

Konjufca tha se tani jemi duke i vuajtur disa vendime të së kaluarës.

Ai theksoi se themelimi i Speciales e ka dëmtuar Kosovën.

“Nuk mund të gjykohet historia. Me popullin tonë ka ndodhur gjenocidi, ka ndodhur lufta e drejtë ka ndodhur ndihma ndërkombëtare dhe ka ndodhur liria. Këtë s’mund ta ndryshojë askush. Ne po i vuajmë disa vendime të së kaluarës. Themelimi i Gjykatës Speciale e ka dëmtuar Kosovën”, tha Konjufca.

14:52 – Prokuroria e Speciales: Me urdhër të shtabit të UÇK-së, viktimat u maltretuan nëpër stalla kafshësh

Zyra e Prokurorisë së Gjykatës Speciale ka vazhduar me paraqitjen e provave që i përfshin të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në krime lufte.

Prokurori i specializuar, James Pace, ka thënë që me urdhër të shtabit të UÇK-së, viktimat u maltretuan nëpër stalla kafshësh.

Prokuroria përmendi para trupit gjykues siç tha ai lokacionet ku dyshohet se janë kryer disa nga krimet, me lejen dhe udhëheqjen e të akuzuarve, njofton Klankosova.tv.

“Viktimat u morën në pyetje, u rrahën dhe u abuzuan fizikisht apo psikologjikisht. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë. Anëtarët e UÇK-së, nuk u dhanë informacion sa i përket vendndodhjes së tyre për të paktën 20 viktimave, duke i lënë kështu miqtë dhe të afërmit në agoni. Këto veprime përbënin veprën penale të përndjekjes për arsye politike, ose etnike”.

Prokurori tutje ka thënë që shtrirja gjeografike e akuzave është relativisht e gjerë “mbulon vende ndalimi në Kosovë dhe disa pjesë të Shqipërisë”.

“Ndonëse intensiteti ishte i ndryshëm, sidoqoftë krimet kryheshin në mënyrë të vazhdueshme. Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore; pra, ishin të zgjeruara, ishin pjesë e një sulmi që shënjestronte kundërshtarët. Ato u kryen për realizmin e krimit të përbashkët kriminal. Provat do të na tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë”, u tha tutje.

Gjithashtu ZPS-ja, përmend transferimin dhe keqtrajtimin e disa personave në gushtin e 1998-s, nga fshati Bare i Mitrovicës drejt Bajgorës.

Sipas Prokurorisë, edhe në fshatin Llapushnik të Skenderajt u mbajtën me forcë disa persona, e në fund disa ishin liruar, ndërsa “dy viktimat që arritën të arratiseshin u kapën dhe u pushkatuan me pushkë”, u tha tutje.

“Mes fundit të prillit të 98-ës dhe 25-26 korrik 9 të paktën, 30 persona u mbajtën të ndaluar në Llapushnik pa proces të rregullt ligjor. Asokohe, shtabi i UÇK-së në Llapushnik ndodhej në një kompleks të rrethuar ku ishte një stallë lopësh, një garazh dhe kishte një pus të rumbullakët në oborr. Të burgosurit në Llapushnik u mbajtën në dy dhoma të ndara të njëjtit kompleks”, thuhet tutje nga Prokuroria.

14:14 – Djali i Kadri Veselit nga Haga falënderon shqiptarët për përkrahjen masive për ish-krerët e UÇK-së (FOTO)

Djali i Kadri Veselit, Klestori, përmes një statusi në profilin e tij në instagram ka falenderuar shqiptarët për përkrahjen masive që iu kanë dhënë ish-krerëve të UÇK-së në marshin në Prishtinë dhe atë në Hagë.

Vet Klestori ka qenë sot prezent në protestën e mbajtur në Hagë, ku kanë marrë pjesë mijëra mergimtarë nga Austria, Gjermania, Zvicra e vende të tjera.

“Faleminderit të gjithë shqiptarëve që masivisht u solidarizuan me prindërit tanë, si dje në Prishtinë, ashtu dhe sot në Hagë! Malli për babain lehtësohet nga krenaria për të kur e shohim një përkrahje kaq të madhe. Krenar me UÇK-në. Faleminderit të gjithëve! Zoti qoftë me ju”, ka shkruar ai.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

14:12 – Blakaj: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të zgjas deri në katër vjet (VIDEO)

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë Bekim Blakaj, ka thënë në një intervistë për Klan Kosova se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë goxha i gjatë.

Sipas Blakajt, gjykimi mund të zgjas deri në katër vjet.

“Nuk ka ndonjë bazë ligjore për t’u ankuar për të thënë që gjykimi është stërzgjatur mirëpo do të shohim se si do të rrjedhin procedurat dhe do të shohim nëse ka ndonjë shtyrje të qëllimshme apo jo? Unë nuk besoj që kjo do të ndodh, prokuroria është kujdesur që të mbledh sa më shumë prova, shumica e tyre janë dëshimitarë të ngjarjeve apo familjarët e tyre”, tha Blakaj në Klan Kosova/ Klankosova.tv

14:02 – Prokuroria e Speciales: Personat që u ndaluan jashtëligjshëm, u akuzuan si kolaboracionist

Prokuroria Speciale ka vazhduar me paraqitjen e provave në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Prokurori James Pace, tha se provat tregojnë që anëtarë të UÇK-së, sipas tyre, u hoqën lirinë qindra individëve, siç u shprehën ata, pa proces të rregullt ligjor.

“’Me këta persona, kolaboracionistët që ishin të shumtë, nuk janë ndëshkuar shumë për atë që ishin në të vërtetë’, ky është një fragment i dëshmisë së Jakup Krasniqit që ka dhënë përpara TPNJ-së me 10 shkurt 2005. Provat që do të dëgjoni, janë në kundërshtim të thellë me këtë pretendim të z.Krasniqi”, tha James Pace.

“Provat tregojnë se mes prillit 98 dhe gushtit 99, anëtarë të UÇK-së nën komandë dhe kontrollë të akuzuarit, u hoqën lirinë qindra individëve, pa proces të rregullt ligjor. Këto viktima përfshnin persona që punonin në pylltari, bujqësi, gazetar, persona që punonin për ndërmarrje shtetëore, mësues etj. Shumë ishin mbështetës të LDK-së, ose thjeshtë nuk mbështesnin UÇK-në. Përpara se t’i ndalonin, disa viktima në fakt ishin ushtar të UÇK-së, ndërsa të tjerë, ishin anëtarë të forcave serbe”.

Prokurori James Pace tha se personat që u ndaluan jashtëligjshëm, sipas tyre u akuzuan si kolaboracionist, përcjell Klankosova.tv.

“Krahas shqiptarëve dhe serbëve, tek viktimat përfshinin romës, malazezët dhe boshnjakët. Provat na tregojnë se këto persona që u mbajtën të ndaluar në mënyrë të jashtëligjshme, u akuzuan ndër të tjera si të ashtuquajtur kolaboracionist, kjo akuzë asokohe ishte shumë e rëndë, madje edhe vjekjeprurëse ndonjëherë. Siç kemi dëgjuar sot, disa nga anëtarë të UÇK-së e abuzuan këtë keqpërdorim”.

“Dyshimet për bashkëpunim shpesh ishin të pabaza. Vet akti i arrestimit apo ndalimit nga ana e UÇK-së, nënkuptonte se viktimat për të cilin ishin ngritur akuza, nuk merrnin pjesë në mënyrë aktive në luftimet që po ndodhnin, këto viktima u morën në pyetje, u rrahën dhe u abuzuan fizikisht apo psikologjikisht. Ama fatkeqësisht ata ishim më fatlumët. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht, sepse konsideroheshin kundërshtar”, tha tutje Pace.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

13:51 – Organizatorët e “Marshit për Drejtësi”: Kosova u bashkua me historinë e saj

Dy organizatoritët e “Marshit për Drejtës”, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, i kanë falënderuar të gjithë ata që kontribuan në realizimin dhe mbarëvajtjen e organizimit të së dielës, që u mbajt në Prishtinë e që iu dedikua ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Hoxha tha se dje ishte një ditë madhështore, në të cilën tërë Kosova u bashkua për historinë e saj.

“Dje ishte një ditë madhështore. Të gjitha rrugët dje quan në Prishtinë. Dje Kosova u bashkua për historinë e saj. Dje Prishtina ishte e vogël për me i përqafu zemrat e mëdha të qytetarëve tanë. Përulësisht faleminderit për të gjithë ju. Një falenderim i veçantë për ju media, për peshën dhe hapësirën që i dhatë marshit dhe mesazhit unifikues që përçuat”, shtoi ajo.

Ajo theksoi se maturia e qytetaria e treguar dje ishte për t’u admiruar.

“Na kishte marrë malli me i pa krejt bashkë, me e pa rizigjimin e Kosovës me krejt ngjyrat e saj. Por krejt kjo do të ishte e pamundur, pa vullnetarët që ndihmuan në organizim dhe mbarëvajtje, bashkë me Policinë e nderuar të Kosovës. Maturia e qytetaria e djeshme, ishte për t’u admiruar. Falminderit!”, tha Hoxha.

Derisa, Ismail Tasholli falënderoi bizneset, komunat, bashkësitë fetare dhe të gjitha grupet tjera shoqërore.

“Zemrën e madhe të bizneseve që gjithmonë kur është në pyetje UÇK-ja nuk kursejnë asgjë. Afishet, bluzat, posterat, mesazhet, flamujt e çka jo tjetër, u bënë të mundura nga ata vetë. Faleminderit! Komunat e Kosovës, bashkë me kompanitë e transportit që i mundësuan gjihthësecilit të vijnë në Prishtinë dje. Faleminderit! Ky marsh e ky mesazh nuk do të shkonte tek të gjitha audiencat pa personalitetet me influencë kulturore brenda dhe jashtë Kosovës. Falënderojmë edhe bashkësitë fetare, sportistë, klubet e sportit, tifozët, shoqatat e dala nga lufta, që nuk kursyen asgjë”, tha Tasholli.

Tasholli theksoi se “Marshi për drejtësi” ishte marshi ynë i dinjitetit qytetar.

“Familjarëve të Çlirimtarëve tanë, faleminderit që ishit dje me ne. Ky nuk ishte vetëm një marsh i rëndomtë, ky ishte marshi ynë i dinjitetit qytetar, që di të peshojë vlerat themeltare të saj. E Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të jetë bashkë sot. Faleminderit!”, tha ai.

13:19 – Abbott: As lufta e UÇK-së dhe as e Kosovës për liri s’janë në gjyq dhe s’duhet të gjykohen

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, është shprehur se as lufta e UÇK-së dhe, siç tha ai, as e Kosovës për liri s’janë në gjyq dhe s’duhet të gjykohen.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

“As lufta e UÇK-së dhe as e Kosovës për liri nuk janë në gjyq dhe as nuk duhet të gjykohen. Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë ndërhyrjes së saj, si pjesë e NATO-s, si një kauzë e drejtë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare dhe që të gjithë kosovarët të jetojnë të lirë nga represioni”, ka shkruar ai në Facebook.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

13:19 – Ekskluzive: Protesta e nisur në Hagë vazhdon gjatë majit në Bruksel

Protesta që u mbajt sot para Gjykatës Speciale në Hagë gjatë muajit maj do të zhvendoset në Bruksel.

Kundërshtimi i gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të bëhet muajin e ardhshëm para institucioneve të Bashkimit Evropian, njofton Klan Kosova.

Qindra qytetarë nga Kosova e diaspora u mblodhën sot para Gjykatës Speciale, aty ku nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“NATO, po të gjykohen aleatët”, Kosova viktimë, Serbia agresore”, “Liria ka emër”, “Mos i barazoni viktimat me kriminelë”, ishin disa nga pankartat që i mbanin në duar protestuesit.

Një marsh në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u mbajt të dielën edhe në Kosovë ku morrën pjesë mijëra qytetarë, njofton Klankosova.tv.

12:48 – Përfundon protesta para Gjykatës Speciale në Hagë

Ka përfunduar protesta para Gjykatës Speciale në Hagë, aty ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë protestë morën pjesë qindra qytetarë nga Kosova e diaspora, ku sipas tyre, ish-krerëve të UÇK-së, po u bëhet gjykim i padrejtë.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

12:45- Vajza e Jakup Krasniqit: Pres gjykim të drejtë (VIDEO)

Në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qindra shqiptarë anëkend Evropës po marrin pjesë në protestën e organizuar kundër gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Vajza e këtij të fundit, Gresa Krasniqi, tha se pret një gjykim të drejtë.

“Është emocion i dhimshëm, por neve po na mban krenaria, duke pasur parasysh që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë”, tha Krasniqi.

12:39 – Protestuesit në Hagë ia marrin këngës (VIDEO)

Qindra njerëz nga Kosova e diaspora u mblodhën para Gjykatës Speciale në Hagë, aty ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.

Ata u bashkuan për të protestuar, sepse, siç kanë thënë ata, atyre po bëhet gjykim i padrejtë, përcjell Klankosova.tv.

E disa protestues, gjatë kësaj proteste edhe kanë kënduar këngë patriotike.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

12:29 – Gashi-Bytyqi: Serbia ka kontribuar me prova në Gjykatën Speciale (VIDEO)

Në Hagë ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Lidhur me këtë ka folur edhe avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

Gashi-Bytyqi, tha se Serbia ka kontribuar me prova në Gjykatën Speciale.

Sipas saj me këtë rast po synohet që të barazohet lufta jonë me atë të Serbisë vrastare.

“Kjo është e pakontestueshme që Serbia ka çuar materiale atje dhe po konsiderojmë që ka çuar materiale atje. Për tendecat e tyre që të barazohet lufta çlirimtare me atë të tyre vrastare”, tha Gashi-Bytyqi.

12:16 – Prokuroria e Speciales: Hierarkia ishte e rëndësishme për UÇK-në, respektohej me fanatizëm

Sot në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në sallën e gjyqit ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.

Prokurori i Speciales, Matthew Howling, në fillim të gjykimit tha se sot do të flasë për mënyrën sesi të akuzuarit i kanë ushtruar kompetencat në UÇK.

Howling tha se pyetja që shtrohet përpara trupit gjykues nuk është se kur apo se si u organizua UÇK-ja, por pyetja është sipas tij, nëse të akuzuarit mbanin poste brenda UÇK-së që u lejojnë atyre kryenin krime që i përmban aktakuza.

“Provat do të tregojnë se ata kishin poste të tilla”, tha ai.

“Me kalimin e kohës dhe me zhvillimin organizativ secili nga katër të akuzuarit kishin kompetenca, autoritet dhe ndikim që ju bënë atyre të mundur që të zbatonin dhe të vinin në jetë qëllimin të përbashkët dhe të ushtronin kontroll efektiv”, tha prokurori.

Ai tha se në këtë gjykim, do të jetë e rëndësishme që të bëhet dallimi midis asaj që aspironte të bënte UÇK-ja dhe asaj që bëri faktikisht.

Howling tha që nga fillimi hierarkia ishte qendrore dhe rëndësishme për UÇK-në dhe sipas tij, respektohej me fanatizëm.

“Prej fillimit anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ushtruan detyrat e tyre”, tha ai.

12:00 – Endrit Thaçi: E drejta e luftës dhe lirisë do të fitojë

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është i bindur se në fund do të fitojë liria.

Ai tha se sot do të fillojë beteja e radhës.

“Sot fillon gjyqi. Sot fillon beteja e radhës për të vërtetën. Me zemrën plot siç ishin edhe sheshet dje plot, e vërteta e luftës dhe lirisë do të fitojë. Faleminderit nga zemra për mbështetje”, tha ai.

Sot në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

11:55 – Rohde: S’po gjykohet UÇK-ja, por individë që akuzohen për krime të rënda lufte

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke folur për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, përmes një postimi në Twitter është shprehur se nuk po gjykohet UÇK-ja, por individë që, siç tha ai, po akuzohen për krime të rënda lufte.

Rohde është shprehur se drejtësia për viktimat mbetet e rëndësishme, përcjell Klankosova.tv.

“E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo demokraci dhe manifestimi i djeshëm në Prishtinë tregoi një shoqëri civile të lulëzuar në Kosovë. Por dua të ritheksoj: Nuk është UÇK-ja ajo që po gjykohet, por individë që akuzohen për krime të rënda lufte, krime kundër njerëzimit, zhdukje të personave dhe torturë”, shkroi ambasadori.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

11:07 – Prokuroria e Speciales: Ish-krerët e UÇK-së donin t’i eliminonin kundështarët për shkaqe politike (VIDEO)

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, tha se për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kishe një “anë të errët” të udhëheqjes së tyre dhe se ky sipas tij, është objekti i gjykimit që po fillon sot.

Gjatë fjalës hyrëse, prokurori tha se ish-krerët e UÇK-së kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.

“Provat, do të tregojnë që katër të akuzuarit në rolin e tyre si udhëheqës të lartë në shtabin e përgjithshëm, mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë; shpesh mbështetur nga asgjë, përpos lidhjeve me institucionet serbe si dhe personat e përceptuar si jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të qeverisë së Kosovës. Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit gjatë periudhës së aktakuzës synonte burgosjen, keqtrajtimin dhe torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”, ka thënë ai.

Prokurori tutje ka thënë që aktakuza përfshin me qindra burgosje në mbarë Kosovën dhe në mbi 100 vrasje – ku shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës.

“Sjellja kriminale të cilën prokuroria synon ta vërtetojë, është në fakt mjaft e thjeshtë. Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së ku katër të akuzuarit ishin ata më të rëndësishmit përqafojnë në komunikimet dhe deklaratat e veta një politikë të shprehur shumë qartë të shënjestrimit të atyre që përceptoheshin si tradhtarë, përfshirë edhe kundërshtarët politikë. Katër të akuzuarit, u përfshinë në artikulimin dhe në zbatimin e kësaj politike, edhe duke caktuar edhe mbikqyrjen e komandantëve dhe strukturave që u vunë në jetë”, tha ai.

10:58 – Protesta në Hagë përmes fotografive (FOTO)

Në Hagë, pranë objektit të Gjykatës Speciale, është duke u mbajtur protestë nga qytetarët e Kosovës e diasporës, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë duke u gjykuar në Dhomat e Specializuara.

Nga pamjet e siguruara nga Klan Kosova, shihen qindra qytetarë të cilët mbajnë pankarta të ndryshme në duar në përkrahje të ish-luftëtarëve.

“Liria ka emër”, “Mos i barazoni viktimat me kriminelë”, “Vetëm drejtësi, jo politikë”, “UÇK nderi i shqiptarëve”, ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit në duar.

Më poshtë gjeni fotografi të kësaj proteste realizuar nga kameramani Agon Bejtullahu.

10:41 – Në ditën e gjykimit, familja e Thaçit presin mysafirë në Burojë (FOTO)

Sot ka filluar gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

E në këtë ditë, në Bugojë, vendlindje të ish-presidentit, Hashim Thaçi, nuk ka shumë lëvizje.

Familja e Thaçi për Klan Kosovën ka bërë të ditur se janë duke pritur mysafir, kushdo që do t’i vizitojë.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

Bujorë
10:36 – Protestë para Gjykatës Speciale në Hagë, aty ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së (FOTO)

Qindra qytetarë nga Kosova e diaspora janë mbledhur para Gjykatës Speciale, aty ku po mbahet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Qytetarët janë duke protestuar për, sipas tyre, gjykimin e padrejtë që po u bëhet ish-krerëve të UÇK-së.

“NATO, po të gjykohen aleatët”, Kosova viktimë, Serbia agresore”, “Liria ka emër”, “Mos i krahasoni viktimat me kriminelë”, ishin disa nga pankartat që i mbanin në duar protestuesit.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

10:30 – Jashari: Ata që e votuan Specialen do t’i pyesja “Si po e ndjeni vetën sot?” (VIDEO)

Në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari, ka thënë në Klan Kosova se Haga po tenton ta sulmojë luftën e UÇK-së.

“Pas themelimit të kësaj gjykate iu kemi shtruar pyetje të gjithë atyre se “Qysh e ndjeni vetën sot” ata që e kanë votuar një gjykatë të tillë selektive e të padrejt që synon ta godas luftën e drejtë të UÇK-së”, tha Jashari.

10:22 – Veteranët e përcjellin nga zyra fillimin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së (FOTO)

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e përcjellin nga zyra fillim e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në pamjen e Klan Kosovës shihet edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, teksa po e përcjell këtë proces gjyqësor.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

OVL-UÇK
10:21 – Krasniqi: Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilat akuzohem (VIDEO)

Ish-kreu i UÇK-së, Jakup Krasniqi ka thënë që e kupton aktakuzën me ndryshime që rëndon ndaj tij, por që nuk pajtohet me të.

Krasniqi deklaroi para trupit gjykues se nuk mban përgjegjësi për të cilën flet aktakuza.

“Nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i lesoi prokurorja. Aktakuzën e kuptoj kështu siç është por nuk pajtohem me të, pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, ka thënë Krasniqi.

10:14 – Familjarët duke hyrë brenda në Hagë (VIDEO)

Në Hagë ka nisur gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Atje po ashtu po mbahet edhe një protestë kundër këtij gjykimi.

Qindra bashkatdhetarë nga e gjithë Evropa po marrin pjesë në këtë protestë.

Një ekip i Klan Kosovës i përbërë nga gazetarja Rina Mujku dhe kameramani Agon Bejtullahu, po qëndrojnë në Hagë për ta përcjell nga afër nisjen e gjykimit.

Në vazhdim ju sjellim edhe pamje të familjarëve të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit duke hyrë në Hagë/ Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

10:13 – Selimi: Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës (VIDEO)

Ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ka konfirmuar deklarimin e tij të parë në Gjykatën Speciale në Hagë se është i pafajshëm në të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.

“Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh Selimi në Hagë, shkruan Klankosova.tv

Mbi ish-krerët e UÇK-së rëndojnë akuza për krime lufte.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

10:09 – Konfirmon Kadri Veseli: Jam tërësisht i pafajshëm (VIDEO)

Ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, është deklaruar para Gjykatës Speciale, duke konfirmuar deklarimin filletar se është i pafajshëm.

Veseli gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë e tij për vonesën, teksa është deklaruar i pafajshëm, përcjell Klankosova.tv.

“E shprehi paknaqësinë time për një vonesë të tillë dyvjeçare e gjysmë, megjithatë iu falënderoj, tërësisht i pafajshëm”, është shprehur Veseli.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

10:06 – Hashim Thaçi: Jam plotësisht i pafajshëm (VIDEO)

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë gjykimit që po bëhet ndaj tij dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka thënë që është i pafajshëm.

“E kuptoj aktakuzën e ndryshuar dhe jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Ish-kreu i UÇK-së tha se e konfirmon deklarimin e tij të parë se është i pafajshëm.

09:45 – Nis gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së (VIDEO)

Në Gjykatën Speciale në Hagë sapo ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i ka në dispozicion 5 orë.

Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.

08:57 – Nga arrestimi e deri te nisja e gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale më 4 nëntor të vitit 2020, ndërkaq Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kjo aktakuzë iu konfirmua një ditë më vonë, pra më 5 nëntor.

Sipas akuzës, së paku mes marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akuza.

Ish-presidenti, Hashim Thaçi, asaj kohe doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku tregoi se iu është konfirmuar aktakuza dhe në të njëjtën kohë dha dorëheqje nga pozita e presidentit. Thaçi dha dorëheqje më 5 nëntor 2020 dhe u arrestua po atë ditë.

Edhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e kishte bërë të njëjtën gjë përmes një konferencë për media. Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.

Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, para Dhomave të Specializuara u paraqit më 9 nëntor, ku u deklarua i pafajshëm, por edhe mbajti edhe një fjalim.

E deputeti Rexhep Selimi, më 4 nëntor 2020 njoftoi se kishte marrë konfirmin për aktakuzë dhe se ishte nisur drejt Hagës.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

08:55 – Në Hagë do të protestohet kundër gjykimit të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit (VIDEO)

Nga ora 10:00 në Hagë pritet të nis protesta kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Shumë bashkatdhetarë nga e gjithë Evropa kanë udhëtuar drejt Holandës për të marrë pjesë në këtë protestë.

Sot, do të nis gjykimi ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së.

Derisa gjatë së dielës në Prishtinë u mbajt Marshi për Drejtësi, në mbështetje të tyre.

Aty morën pjesë mijëra vetë/ Klankosova.tv

_________________________________________________________________________________________________

07:10 – Sot zyrtarisht nis procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot më (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë formë do të nis zyrtarisht gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, të cilët qe dy vjet e gjysmë gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.

Në komunikatën me sqarime për seancën e parë, Gjykata Speciale tregoi se për prokurorët kanë ndarë 5 orë.

Pas kësaj, 45 minuta i janë ndarë mbrojtësit të viktimave. Këtu edhe do të përfundojë dita e parë e gjykimit. Kurse të nesërmen do të deklarohet secili prej katër ekipeve të mbrojtjes së Thaçit e të tjerëve.

Plani i Speciales është që paraqitja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve në gjykatore të ndodh tek një javë më vonë, më 11 prill.

140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Derisa një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Dhomat e Specializuara të Hagës e kanë lëshuar një komunikatë për media lidhur me procesin gjyqësor.

Në komunikatë thuhet se është planifikuar që deklaratat hyrëse për rastin në fjalë të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

“Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill”.

Pos tjera, në njoftim thuhet: “140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”.

Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.

Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.