Kupa e Italisë, Juventus-Inter: Akti i parë i gjysmëfinales luhet sot, “Zonja e Vjetër” kundër “gjarprit” pa “helm”
Duke u takuar për herë të tretë këtë sezon, rivalët e përhershë, Juventus dhe Inter do të ndeshen mbrëmjen e sotme në orën 21:00 për aktin e parë të gjysmëfinales të Kupës së Italisë.
Më pak se tre javë që kur Juve vulosi fitoren e dytë në Serie A ndaj Interit në San Siro, skuadrat mblidhen përsëri në Torino, me zikaltërit të cilët nuk ndodhen në një moment aspak të mirë. Duke e mbyllur diferencën ndaj Interit në vetëm gjasjtë pikë, Juventusi shënoi fitoren e tretë radhazi në ligë në fundjavë. Pavarësisht dënimit të tyre me -15 pikë në kampionat, Juventus po tregon se sa i fortë është në Itali dhe është duke u rikthyer përsëri në krye të tabelës, javë pas jave. Edhe pse dukej sikur gjithçka për ta kishte mbaruar pas dënimit të marrë, Juventus ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit. Për “zonjën e vjetër” kjo ndeshje ndaj Interit do të jetë si një revansh, ndaj të cilit humbën në finalen e vitit të kaluar.
Këtë sezon, rruga e bardhezinjve për në katërshen e fundit i pa ata të eliminojnë Monzën dhe LAzion në raundet e mëparshme, dhe ata tani mund të shijojnë shanset e tyre për të vendosur një rikthim në finale në muajin maj, ku Fiorentina ose Cremonese do të jetë kundërshtari finalist, gjithmonë nëse Juve do të arrijë të eliminojë Interin.
Interi nga ana tjetër, nuk po kalon një periudhë të mirë. Rezultatet negative po e shoqërojnë në Serie A dhe tashmë ata regjistrojnë katër humbje radhazi, e fundit ndaj Fiorentinës të shtunën në San Siro me rezultatin 0-1. Por, kur bëhet fjalë për këto ndeshje me këtë peshë të madhe, zikaltërit kanë një mentalitet tjetër dhe nje forcë më të madhe në fushën e lojës, duken sikur janë një tjetër ekip. Inzaghi ndjehet në një presion të madh nga drejtuesit, por edhe nga tifozeria zikaltër. Puna e tij me këtë klub rrezikohet shumë prej rezultateve negative, dhe sigurisht më kryesorja është se Interi mund të humbasë edhe një pozicion në top katërshe për një vend në Europë. Mediat e shumta italiane shkruajnë për një trajner të mundshëm për sezonin e ardhshëm, ku emrat e mëdhenj si Conte apo De Zerbi nuk mungojnë në këtë listë të gjatë.
Ky fund sezoni do të jetë shumë i rëndësishëm për Inzaghin, por edhe për Interin, pasi ata do të provojnë sot aktin e parë të kësaj gjysmëfinaleje, por gjithashtu do të kenë edhe përballjet ndaj Benfikës në çerekfinalet e Champions League. Duke marrë formën e të dyja ekipeve që do të përballen sot në Derbin e Italisë, Juventus vjen dukshëm më në formë dhe më favorit. Bardhezinjtë në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, kanë marrë 1 humbje dhe 5 fitore, ndërsa Interi 4 humbje, 1 fitore dhe 1 barazim.
Pasi ka pushuar disa lojtarë të rëndësishëm kundër Veronës, Allegri do të sjellë disa nga titullarët e tij në fushën e lojës sot ndaj Interit. Rabiot dhe Paredes janë kthyer të dy nga pezullimi, dhe francezi do të jetë me patjetër titullar. Allegri do të jetë pa Pogba përsëri, ndërsa Chiesa vazhdon të ketë shqetësime nga dëmtime të vogla që pas rikthimit të tij nga dëmtimi i gjatë.
Nga reparti zikaltër, Skriniar vazhdon të mbetet jashtë për shkak të një problemi me shpinën, por Calhanoglu që pësoi një tërheqje muskulare në ndeshje e Euro 2024 me Turqinë, do të jetë në dispozicion të Inzaghit sot me shumë mundësi, por ndoshta në stol. Lajm i mirë është gjithashtu se edhe Dimarco do të jetë në dispozicion pasi e kaloi dëmtimin dhe Bellanova mund të vazhdojë në krahun e majtë të skemës 3-5-2. Në krye të sulmit, Interi mund të startojë sot me Dzeko-Lautaro, me Lukakun dhe Correan që do të jenë në stol duke parë edhe paraqitjen e tyre të dobët në fundjave ndaj Fiorentinës.
Surprizë mund të jetë aktivizimi i shumëpritur i Kristjan Asllanit. Djaloshi i talentuar shqiptar pothuajse nuk ka pasur fare minuta në dispozicion kohët e fundit, dhe tifozeria zikaltër mezi po e pret aktivizimin e tij, pasi mesfushori kuqezi ka talent dhe vizion, gjë e cila Interit i ka munguar kohët e fundit.
Në këtë përballje, vështirë të parashikohet rezultati, por ajo që dihet duke marrë për bazë statistikat dhe gjendjen momentale të ekipeve, Juventus padyshim që hyn sot fushën e tij si favorit për të fituar këtë sfidë të parë të kësaj gjysmëfinaleje.
Cilido ekip që do të mundet të kalojë në finale, do të përballet me Fiorentinën ose Cremonesen, e cila do të jetë sfida tjetër e gjysmëfinales së Kupës së Italisë. Cremonese-Fiorentina do të luhet ditën e mërkurë në orën 21:00, ku të dyja ekipet do të sfidohen për aktin e parë të kësaj gjysmëfinaleje, me Fiorentinën që shihet favorite për të prekur finalen e madhe të këtij kompeticioni.
Gjithsesi, e gjithë vëmendja do të jetë sot në mbrëmje me Derbin e Italisë, ku beteja e parë e madhe do të caktojë se cili ekip mes Juventusit dhe Interit do të vendosi njërën dorë te bileta e finales.
Formacionet e mundshme:
Juventus: Perin, Danilo, Bremer, Gatti, Cuadrado, Fagioli, Locatelli, Rabiot, Kostic, Di Maria, Vlahovic.
Inter: Handanovic, Bastoni, Acerbi, Darmian, Dimarco, Bellanova, Mkhitaryan, Asllani, Barella, Dzeko, Martinez.