Krasniqi: Sot do t’i tregojmë botës sa krenarë jemi me UÇK-në

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi iu ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen për të marshuar sot duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Krasniqi tha se përmes Marshit për Drejtësi, bashkë me mijëra qytetarë do t’i tregojnë botës “se sa krenarë jemi me historinë tonë të lavdishme dhe me themeluesit e drejtuesit e UÇK-së”.

“Sot është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme. Bashkë me ju dhe me mijëra qytetarë nga gjithë Kosova e viset shqiptare, do t’i tregojmë botës se sa krenarë jemi me historinë tonë të lavdishme dhe me themeluesit e drejtuesit e UÇK-së”, ka shkruar Krasniqi.

“Në ora 14:00, shihemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, ka shtuar kryetari i PDK-së.

Policia bën thirrje për marsh të qetë dhe demokratik

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së marshit të planifikuar për sot nga ora 14:00 në Prishtinë.

“Lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e marshutës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia ka njoftuar se do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e marshutës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike.

“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të marshutës, andaj ftojmë qytetarët pjesëmarrës që të marshojnë të qetë dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike”, thuhet tutje në njoftim.

Sot mbahet ”Marshi për Drejtësi”

Sot me fillim nga ora 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti do mbahet ”Marshi për Drejtësi”.

Organizatorët e marshit mbështetës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte nga Specialja, kanë thënë të jenë bërë të gjitha përgatitjet për këtë organizim të manifestimit për drejtësi.

Ata kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen marshit dhe thanë se kjo ngjarje përbën momentin kur duhet treguar unifikim, pavarësisht ngjyrimeve politike.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila është një nga organizatoret e marshit, ka thënë se kjo ngjarje përbën momentin kur duhet treguar unifikim.

E organizatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se mbështetja që është pranuar gjithandej vendit tregon të vërtetën e historisë së Kosovës.

Prej më shumë se dy vjetësh ndodhen në paraburgim në Hagë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Të katërtit akuzohen nga Specialja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.