Juventus paralajmëron tifozët, nuk përjashtohet mundësia për të rënë në Serie B

Rreziku për të rënë në Serie B dhe përjashtimi nga Kupat e Europës janë dy hipoteza që Juventus i merr në konsideratë në kuadër të hetimit për fitimet kapitale dhe manovrat e pagave. Të paktën kështu duket në një email që vetë klubi i Juventusit u dërgon, si çdo vit, abonentëve të biletave “Premium Club” të sezonit, pra atyre që zënë sektorët luksoz të “Allianz Stadium”, për rinovimin e abonimit të tyre në funksion të sezonit të ardhshëm.

Për të konfirmuar vendin e tyre deri më 19 maj, ata do të duhet të paguajnë afërsisht 85% të kostos së biletës.

Megjithatë në email sqarohet se ekziston rreziku i rënies në Serinë B apo përjashtimit nga Europa. Kështu në rast rënieje, tifozëve u është premtuar një rimbursim në vlerën 30% të parave që do të paguajnë për konfirmimin e abonimit dhe pjesa prej 15% do të paguhet vetëm nëse skuadra luan në një kompeticion europian.

Kolegji i Garancive Sportive në Itali rrëzoi dënimin prej 15 pikësh për Juventusin, por riktheu çështjen në Gjykatën e Apelit Sportiv, për një tjetër vendim mbi klubin bardhezi, që pritet të merret brenda muajit maj./