Në burgun e Idrizovës sërish janë duke u kryer bastisje nga njësia speciale e MPB-së, ndërsa të burgosurit po protestojnë brenda, mëson “Makfax”. Të gjitha hyrjet dhe daljet e repartit gjysmë të hapur dhe të hapur, pra pjesës së re të burgut janë bllokuar nga specialistët.
Sipas informacioneve jozyrtare, aty strehohen të dënuar të cilët kanë qenë pjesë e një grupi droge problematik për administratën. Ata u transferuan atje pak kohë më parë.
Aksioni është i koordinuar me administratën e burgut. Jozyrtarisht, po kërkohen sërish sende të paligjshme si drogë, telefona, para.
Ky veprim vjen pasi katër makina u dogjën brenda gjashtë muajve. Ndër rastet e fundit ishte djegia e veturës së zëvendësdrejtorit të “Idrizovës”.