Shkruan : Merxhan Jakupi
Ishte fillimi i tetorit të vitit 1991. Forcat e Armatës Jugosllave bombardonin Dubrovnikun. Unë isha nisur nga aeroporti i Cyrihut për në Tiranë. Vija nga një fshat malor të zonës së trekëndëshit kufitar, Maqedoni–Kosovë-Shqipëri. Nga fshati ku kisha lindur, kufiri me Shqipërinë ishte 4 orë në këmbë. Më kujtohet në rini, së bashku me kushëririn dhe një fqinj, ishim afruar zonës kufitare, ku me dylbi shikonim disa kodra dhe bjeshkë të thepisura të shtetit amë. Kishim shumë emocione dhe ishim të fiksuar e të etur për të shkuar në të vend të ëndërrimeve djaloshare. Kjo, madje, ishte edhe ëndrra e shumicës së shqiptarëve të shkëputur dhe të mbetur në federatën jugosllave.
Shkelja në tokën e bekuar
Pasi dorëzova valixhet, pas meje ishin dy burra. Edhe ata dorëzuan valixhet dhe, më pas, unë i ftova tek një bar të pimë nga një kafe. Këta dy zotërinj vinin nga Brukseli. Ishin ftuar nga një kompani. Njëri ishte drejtor i përgjithshëm i një firme. Zotëria më tha se do të jem miku i tij dhe se nuk do të ketë nevojë që të flija në hotel. Kur aeroplani ishte duke ateruar, m’u kujtua një gazetar perëndimor që kishte vizituar Shqipërinë në periudhën komuniste. Gazetari përshkruante se Aeroporti i Rinasit i ngjante aeroporteve të improvizuar të Uruguait dhe Kolumbisë, aeroporte të improvizuara për transportimin e lëndëve narkotike. Kur aeroplani i ishte afruar pistës, unë nga dritarja shikoja me shumë emocione tokën e bekuar, ku do të shkelja për herë të parë dhe do të realizoja një ëndërr që nga fëmijëria, si shumica e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe luginën e Preshevës. Deri atëherë kisha ra rreth e përqark tërë Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore, por nuk kisha qenë në Bashkimin Sovjetik dhe në Shqipëri.
Jetoja dhe punoja në Perëndim. Shqipëria, siç shkruante Ismail Kadare, në romanin e tij “Koncert në fund të dimrit”, gjendej mes Kinës dhe Mongolisë. Rrallë në media dhe gazeta shkruhej për shtetin më të izoluar dhe me diktaturë më bizare në gjithë rruzullin tokësor. Ajo që më brente më së shumti, sidomos kur gazetarët e huaj vizitonin kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, ku ishte statuja e diktatorit më famëkeq, ajo e Stalinit, kurse në shesh karrocieri me gomar, duke mbledhur plehrat nëpër rrugë. Këto imazhe shpesh i ekspozonin në TV të Beogradit dhe të Shkupit, madje me dozë sarkazmi.
Pas shembjes së komunizmit dhe hapjes së kufirit të Shqipërisë, shumica e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe trevave të tjera, në vizitën e parë që kishin bërë, ishin frustruar dhe zhgënjyer, duke thënë se nuk e paskëshin njohur mirë Shqipërinë, se kishin qenë viktimë e propagandës së shtetit më të lumtur në botë.
Si e shijuan për herë të parë coca-cola-n
Miku im, nikoqir, kishte një transaksion biznesi me një firmë italiane në Hotel Dajti, ku isha i ftuar edhe unë, me mikun, për një takim me zëvendësministrin e Tregtisë. Hotel Dajti ishte i vetmi ku vinin të huajt. Në atë periudhë ishte dhe biznesmeni shqiptar, Ajdin Ajdini, duke shëtitur me makinën luksoze, “rrols-rojs”, për të cilin, në një takimin, presidenti Ramiz Alija kishte thënë se investimet e z. Ajdinit do ta rimëkëmbin Shqipërinë.
Në firmosje të kontratës mes firmës shqiptare me atë italiane, përveç mikut dhe zëvendësministrit të Tregtisë, ishte edhe sekretarja dhe një gazetar. Ishim përballë një fry-shop-i. Unë i thashë nikoqirit të sjellë nga një birë apo koka-kolë dhe nga një pako cigare marlboro. Në atë moment u afrua pronari i një firme taksie që kishte ardhur nga ShBA. Ky matrapaz e tërhoqi zvarrë për kollare Zëvendësministrin, duke iu kërcënuar dhe etiketuar atë si kriminel dhe hajdut, që duhej pushkatuar! Atë e fajësonte se e paskësh sjell Shqipërinë në gjendje të rëndë. Zëvendësministri, një burrë i kulturuar dhe i urtë, i tha se ai kishte qenë një komunist i ndershëm dhe se vjen nga një familje bujare e të njohur. Pasi shkoi ky matrapaz, nikoqiri im u shpreh me denigrim se në çfarë gjendje kishte rënë vendi.
Pasi pimë birrat, sekretarja tha se ishte hera e parë që e kishte shijuar koka-kolën, kurse nikoqiri i tha zonjës se edhe ai një vit më parë e kishte shijuar atë pije të njohur. Duke hapur pakon e malboros, ata thanë se ishte hera e parë që pinin cigare me një markë kaq të njohur.
Zëvendësministri tha se nuk do e hapte pakon, por do ta ruante si kujtim. Absurdi dhe ironia therëse ishte se pasi pimë birrat dhe koka-kolën, ata i morën kanaqet dhe i futën në çantë. Unë e hodha kanaqen e zbrazur në një shportë. Në moment gazetari me një zë të butë më tha, të lutem zotëri, mos e hidh kanaqen në plehra, ma jep që t’ia çojë gocës për të bërë lodra. Në moment, mua më kaploi një ankth. O Zot, thashë më vete, si mundet vallë në fund të shekullit 20, regjimi bizar kaq shumë ta ketë varfëruar këtë popull, deri në shkallë mjerimi.