Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, do të marrë pjesë në seancën e sotme të Këshillit të Evropës (KE), ndonëse tha se nuk do të udhëtojë në Strasburg për shkak të njoftimit se Kosova do të pranohet në këtë mekanizëm.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka konfirmuar për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se Daçiq do të marrë pjesë në seancën e sotme të Këshillit të Ministrave, e cila do të mbahet me rastin e 20 vjetorit të anëtarësimit të Serbisë në Këshillin e Evropës.
“Në Strasburg, ministri Daçiq do të përpiqet të ndalojë procedurën për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, i thanë kësaj media serbe nga MPJ-ja e Serbisë, transmeton Klankosova.tv
Shefi i diplomacisë serbe tha dje se nuk ka ndërmend të shkojë në Strasburg të martën, nëse Kosova do të pranohet në këtë institucion një ditë më vonë.
Daçiq tha se 10 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, njoftohet se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të fillojë procedurën për pranimin e Kosovës në atë institucion, transmeton Klankosova.tv.
“Kosova ka 10 vjet që nuk i ka përmbushur obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit dhe për këtë duhet të shpërblehet dhe në atë ditë të fillojë procedura për pranimin e saj në botën e Evropës. Është mesazh që Kosova mund të bëjë çfarë të dojë”, tha Daçiq.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit të kaluar.
Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës fillimisht shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë fjalën e fundit e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.
Për pranimin e një vendi në Këshillin e Evropës kërkohet një shumicë prej dy të tretash të votave.