10:20 – Avokatja e Krasniqit: Ai s’ishte përgjegjës për të gjitha komunikatat e UÇK-së
Venkateswari Alagendra, avokatja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, ka thënë se hapja e saj do të përqendrohet në gjashtë gabime thelbësore, për të cilat tha se janë fatale për çështjen e Prokurorisë.
Sipas Alagendras, gabimi i parë është që Prokuroria e keqkupton ose qëllimisht e keq përfaqëson rolin e Jakup Krasniqit.
“Në qershor të vitit 1998, Krasniqi u emërua si zëdhënës i UÇK-së. Ai nuk kishte asnjë rol të përcaktuar përpara asaj kohe ashtu siç nuk kishte as edhe një Shtab të Përgjithshëm në atë. Nuk mund të nxjerr si përfundim nga pozita e tij si zëdhënës se Krasniqi ishte përgjegjës për të gjitha komunikatat mbi të cilat Prokuroria vendos kaq shumë peshë”, është shprehur Alagendra, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se pozicioni i Prokurorisë është se komunikata e parë nga Krasniqi është nxjerr në vitin 1994, ndonëse kjo është shumë kohë më përpara se Krasniqi të bëhej zëdhënës i UÇK-së..
“Ato vazhduan gjatë gjithë luftës dhe është e qartë se nuk kanë dalur nga një burim i vetëm. Disa nxjerreshin nga zonat operative”, tha Alagendra, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ajo bëri të ditur se gjatë bastisjes së shtëpisë së Krasniqit kur ai u arrestua janë gjetur dokumente të caktuara.
“Nëse këto dokumente janë gjetur në këtë mënyrë dhe keqpërdorimi i kërkimit është tashmë para jush gjykatës, kjo nuk vërteton automatikisht se Krasniqi është autori i këtyre dokumenteve ose se ai i zotëronte këto dokumente në kohën material”.
“Thjeshtë, gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën ato autentike. Kjo është një pikë e qartë, por duket se është keqkuptuar nga Prokuroria. Në fund të fundit, Krasniqi është shkrimtar dhe historian. Ai mbledh material për hulumtimet e veta dhe për librat e tij të shumtë. Ai ka mbledhur, i janë dhënë ose ka një koleksion të shumë dokumenteve ndër vite”, tha avokatja, njofton Klankosova.tv.
10:13 – Avokatja e Jakup Krasniqit: Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka thënë se ajo që ka prezantuar prokuroria kundër klientit të saj nuk ka të bëjë asgjë me të.
“Aktivitetet nuk mund të lidhen me asnjë krim që prokuroria pretendon se ka kryer Krasniqi. Krasniqi nuk kishte kompetenca që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Aktakuza pretendon se Krasniqi ka marrë pjesë në krime në tri raste. Provat do ta tregojnë të kundërtën”, ka theksuar ajo, njofton KlanKosova.tv.
Duke vazhduar argumentimin e saj, avokatja ka thënë se prokuroria mbivlerëson organizimin e UÇK-së, duke thënë se ka qenë më e organizuar sesa që ka qenë.
“Kjo ishte një fantazi. Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së, duke nxjerr dokumente nga çka ka qenë situata në terren. UÇK nuk e kishte strukturën e një ushtrie”
Më tej Alagendra ka treguar periudhat në të cilat gjatë vitit 1999 Jakup Krasniqi nuk ka qenë në Kosovë.
“Gjatë muajit shkurt ai ka qenë në Rambuje për negociata, më pastaj është kthyer në mars dhe nga prilli deri më 15 qershor, për tre muaj ka qëndruar në Shqipëri, pavarësisht periudhës së shkurtër që bëri një turne nëpër vendet perëndimore. Distanca fizike ka qenë e madhe”.
Për ditën e tretë me radhë ka nisur gjykimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë.
Këtë të mërkurë fjalën e ka mbrojtja e Jakup Krasniqit derisa më vonë do të flasë edhe ai vetë, ku siç është paralajmëruar do të ketë një fjalim prej 25 minutash, njofton KlanKosova.tv.
Në dy ditët e para argumentet e veta i kanë shpalosur fillimisht prokuroria dhe më pastaj mbrojtja e të akuzuarve, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.