Xhaka e Shaqiri në Serbi, presidenti i Federatës zvicerane flet për sfidën e Novi Sadit me Bjellorusinë

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të zbarkojnë këtë muaj në Serbi për ta zhvilluar ndeshjen me Bjellorusinë, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.

Bjellorusët, si aleatë të Rusisë, nuk do të kenë të drejt t’i zhvillojnë në shtëpi ndeshjet si vendës, prandaj e zgjodhën Serbinë për të luajtur si mikpritës, shkruan “Gazeta Express”.

Kjo nënkupton se kontingjenti zviceran, përfshirë këtu edhe futbollistët shqiptarë, që janë aq të urryer në Serbi, do të zbarkojnë në Novi Sad.
Presidenti i Federatës zvicerane të futbollit, Dominique Blanc ka folur për duelin me Bjellorusinë, duke insistuar se ka marrë siguri që nuk do të ketë ndonjë problem dhe mbi të gjitha e gëzon fakti se kjo lojë do të luhet pa praninë e shikuesve.

“Kemi biseduar disa herë me UEFA-n. Por, Bjellorusia e ka të drejtën të vendos se ku t’i luajë ndeshjet si vendëse sepse i është ndaluar që të luajë për një vit në shtëpi për shkaqe sigurie. UEFA na ka siguruar se nuk do të ketë rrezik madhor nëse luajmë në Serbi, mbi të gjitha për faktin se ndeshja do të jetë e mbyllur për publikun”, deklaroi fillimisht kreu i futbollit zviceran për magazinën “Blick”.

“Përgjegjësit tanë të sigurisë dhe të skuadrës kanë qenë dy herë në Novi Sad dhe kanë para gjithçka bashkë me Federatën Serbe të Futbollit, e cila do ta organizojë këtë lojë së bashku me UEFA-n. Si në çdo ndeshje të Kombëtares, edhe për këtë duel e kemi një koncept të qartë të sigurisë”, nënvizoi tutje ai, përcjell “Gazeta Express” .

Ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës do të luhet më 25 mars në Serbi.

Xhaka dhe Shaqiri me shokë e kishin mposhtur dy herë Serbinë, në Botërorin e Rusisë më 2018 dhe në atë të Katarit në vitin 2022..