Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore në fushën e Shtëpisë së Futbollit në kuadër të përgatitjeve për sfidën e parë të kualifikueseve të “EURO 2024”.
Nën urdhrat e trajnerit Sylvinho, “Kuqezinjtë” stërviten për herë të parë në këtë kompleks modern, njoftoi FSHF-ja.
Që të gjithë lojtarët e ftuar janë paraqitur sot në këtë seancë të parë, ndërsa pjesa më e madhe kanë zhvilluar një seancë me ngarkesë të plotë stërvitore.
FSHF-ja bëri të ditur gjithashtu se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë shfaqur të motivuar maksimalisht në nisje të këtij edicioni të ri.
Edhe lojtarët e rinj janë pritur shumë mirë në grup dhe po përshtaten shumë shpejt. Sakaq, disa prej futbollistëve kuqezi janë stërvitur veçmas nga grupi për shkak të impenjimeve me klubet respektive në fundjavë.
Më konkretisht Elseid Hysaj, Talulant Seferi, Andi Hadroj, Jon Mersinaj, Enea Mihaj, Lindon Selahi e Ylber Ramadani kanë kryer stërvitje të lehtë mes palestrës dhe fushës.
Seanca ka zgjatur për më shumë se 1 orë, ndërsa kuqezinjtë do të rikthehen të martën në fushë me dy seanca stërvitore sipas programit të paracaktuar nga stafi teknik.