Servil, servil, por bën edhe moral !

Adriana Istrefi

Mëngjes. Zgjohesh dhe kupton se një ditë plot me servilë rrotull sapo nisi. Nis dhe merr frymë, dhe kupton se aty ku merr frymë ti ndodhet dhe dikush tjetër. Kështu nis dita. Vrullshëm ne hapësirën individuale, ku edhe pse është individuale, është edhe publike.

Në rrugët e ngushta të qytetit, njerëz të shkujdesur vrapojnë, fytyra të zbehta, të mërzitura gjithëfarësoj, gra që mbajnë fëmijët përdore, pleq që ecin, kundrojnë dhe kolliten nën zë dhe në një cep duket servili i cili ecën drejt teje; të sheh dhe ndërron rrugë, dhe papritmas në kryqëzimin e rradhës përplaset padashje me ty dhe të thotë : Mirëmëngjes, më behet qejfi që të pashë !
Por koha rrjedh. Dhe ashtu papritmas dëgjon dy njerëz që bërtasin dhe ulërasin për parti politike duke akuzuar njeri – tjetrin, ndërkohë që dallon se njeri prej tyre është kushëriri i atij politikanit i cili dhe pse propagandon për suksese, kushëririn e ka të papunë.
Në qytet rrojnë sëbashku hallexhinjtë, militantët, pasanikët, endacakët. Vetëm servili jeton kudo. Ai bëhet militant në emër të moralit politik. Servili gjithmonë ka hall. Ai kënaqet për problemet e tua dhe të ngushëllon se të do, ai qan me ty dhe më pas qesh, ai ha me ty, dhe më pas ankohet se e latë pa ngrënë, ai të vlerëson për arritjet e tua, por i thotë botës se ti nuk e meriton.
Servili është gjithmonë aty për ty, edhe kur ti nuk do, ai është aty, edhe kur ti ikën, ai do të vij nga pas, edhe nëse fshihesh, ai do të gjejë se morali i tij nuk e lë.

Ai bën moral në punë, shoqëri dhe publik. Aty ku grinden dy vetë, fiton i treti, servili. Aty ku qengji i urtë pi dy nëna, tërë kopenë e pi servili. Aty ku dielli nuk ngroh, të ngroh servili. Në vendin ku shokun me të cilin rri, ta tregon servili. Aty ku biografinë, ta shkruan servili.
Në vendin ku budallenjtë kuvendojnë, bën sehir servili. Aty ku qeshet, qahet dhe dënohesh, të gjykon servili.
Servilët shpifin dhe të bëjnë të besosh se është histori, se realiteti nuk është realitet, por është ç’thotë bota !
Aty ku sëmundjet nuk janë veç fizike, por edhe shpirtërore. Aty ku ndjesitë blihen, shiten dhe me shpirtin bëjnë tregti. Aty ku i pasuri shtrydh të varfërin dhe më pas e ndihmon duke e quajtur bamirësi. Aty ku vdekjet dhe lindjet merren vesh nga interneti. Në vendin ku barazia bëhet nga forca, do të gjendet gjithmonë servili. Po po, se servili ka moral ta ndyej shpirtin, të korruptojë veten, të fus hundët dhe të përulet.

Servili gjendet kudo, në qytetin pa identitet, në turmën pa zot, në dritë, në errësirë, në hënë, ai është gjithmonë gati të bëjë luftë me hiçin, të nderojë, të të lëpijë, të vuaj, të qesh. Ata shtohen çdo ditë dhe më shumë, ata luajnë dhe mërziten, argëtohen dhe lëndohen. Të ndjehesh servil për ta është vlerë shoqërore, ata bëhen vëllezër, grua, burrë madje mendojnë se janë të ngjashëm me ty.
Kjo “vlerë” moderne, është sa moderne dhe historike. Ata kanë ekzituar në diktaturë, demokraci dhe në kapitalizëm.

Kur shteti dështon, propaganda e “suksesit”, shtyhet nga servilizmi, kur varfëria ulet këmbëkryq, servilizmi të shitet si ushqim, kur institucionet dështojnë; aftësitë i vlerëson servilizmi, kur një popull kërkon të ngre krye nga mendimi dhe logjika, opinionet shiten nga servilizmi, aty ku intelektuali nuk ka zë, aty ku heshtja, gënjeshtra ushqehen nga iluzionet.

Servilizmi është si joshja, aty ku të gjithë shpifin për njëri- tjetrin, servili do të thotë një të mirë për veten e tij, aty ku i drejti quhet i mjerë; aty ku analfabeti bëhet me shkollë, aty ku rojtari ndjehet drejtor, aty ku bërtiten broçkulla quhet institucion; aty ku mësuesin e bëjnë rrogëtarë; aty ku dija nuk është më mision, aty ku dinjiteti nuk ekziston.

Ja kështu shqiptari të shet për një thes miell, rrihen për një fjalë goje, aty ku gratë rropaten si burra dhe burrat merren me fjalë; aty ku flitet për barazi dhe i barabartë je vetëm në letra, ku realitetin ta bëjnë parajsë dhe të zezën të bardhë.

Kështu nisim të mendojmë : a vlen të kesh dinjitet ?!