Pogba është “i mallkuar”, francezi dëmtohet përsëri dhe mbetet jashtë fushave për rreth 30 ditë

Nuk ka paqe për Paul Pogba. Viti i rikthimit të tij te Juventus është gjithnjë e më shumë si një makth. Francezi, rreth orës 9:30, mbërriti në “JMedical” për t’iu nënshtruar testeve instrumentale të cilat evidentuan një dëmtim të shkallës së ulët në aduktorin e kofshës së djathtë. Ish-mesfushori i United ka nisur tashmë procesin e rikuperimit që synon rikthimin në fushë. Ai do të jetë jashtë fushe të paktën për 20 deri 30 ditë.

Te Juventus, durimi po mbaron dhe e ardhmja e Pogba-së te “Zonja e Vjetër” është më shumë se kurrë një enigmë. Mes dëmtimeve, vonesave në thirrje dhe pak jetës aktive në rrjetet sociale, viti i rikthimit të tij në Torino u shndërrua ngadalë në një mit. Tashmë edhe tifozët e kanë braktisur. Vetëm dy paraqitje, 35 minuta të luajtura në sezon dhe tani një tjetër ndalesë e gjatë./ h.ll/abcnews.al