Paraburgosen tre persona për fajde e shpëlarje parash, u ngrihen rreth 3 milionë euro në llogaritë bankare
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët, për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda, ku kanë shënjestruar një rast të ri të koduar “Frangu”, ku janë të përfshirë katër persona.
Prokuroria Speciale njofton se rasti është shënjestruar për veprat penale “Shpëlarje e parasë’’, “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare”.
Në lidhje me këtë rast, nga katër personat, në paraburgim janë tre prej tyre, teksa bëhet e ditur se atyre dhe familjarëve të tyre u janë ngrirë llogaritë bankare.
Po ashtu, me urdhër të gjykatës janë ngrirë 16 parcela.
“Ne llogarit e tyre rrjedhëse dhe të afatizuara janë ngrirë gjithsej:
– 2,131,223.31 EUR dhe
– 878,632.47 CHF
Kurse, në vazhdimësi të hetimeve janë identifikuar edhe prona dhe patundshmëri, të cilat me urdhër të Gjykatës janë ngrirë gjashtëmbëdhjetë (16) parcela”, thuhet në njoftim.