Osmani: Serbia u tregoi ndërkombëtarëve se nuk do t’i respektojë marrëveshjet, Kosova s’heq dorë


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kosova nuk do të heq dorë nga marrëveshja bazë dhe se nenet në të duhet të respektohen edhe nga ana e Serbisë.

Osmani ka thënë se pala serbe vazhdon të mos e respektojë asnjë marrëveshje që buron nga dialogu.

E para e shtetit, duke përmendur nen për nen, ka thënë se të gjitha do të mbesin në fuqi.

“Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, siç ndodhi edhe në shkurt po ndodh edhe në mars, pra tregoi atë që nga dialogu nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike e as juridike. Rrjedhimisht e njoftoi bashkësinë ndërkombëtare që nuk do ta zbatojë ato të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi”.

“Teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet, rrjedhimisht akoma neni 4 i asaj marrëveshje i cili e obligon Serbinë që mos ta kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizata, mbetet në fuqi”, ka thënë Osmani./EO