Goli i Milot Rashicës nuk i mjaftoi sonte Galatasarayt, që pësoi humbje në udhëtim kundër Konysaporit. Kjo ndeshje i takoi javës së 31-të në Superligën e Turqisë.
Konyaspori ndali serinë fenomenale të Galatasarayt, që në këtë ndeshje hyri pas 14 fitoreve radhazi në elitën e futbollit turk.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Konya Buyuksehir Belediye” përfundoi me rezultatin 2:1.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Milot Rashicës (31’). Për reprezentuesin e Kosovës ishte ky goli i tij i dytë në këtë sezon.
Rashica luajti për 86 minuta.
Vendasit ia dolën të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë, falë golave të Soner Dikmen (62’) dhe Ogulcan Ulgun (90+3’).
Te skuadra nga Konya nga minuta e 75-të u aktivizua mesfushori shqiptar, Endri Çekiçi.
Pavarësisht humbjes, Galatasaray mbetet lider në tabelë me 60 pikë të grumbulluara.
Konyaspori pas kësaj fitore ka 34 pikë dhe ndodhet në pozitën e tetë.