NË VEND QË TË MBËSHTETET PËR MURI, SERBIA SHPËRBLEHET ME TERRITOR

Ëndërrimtarin mund ta vrisni, por ëndrrën kurrë – Dalaj Lama

Me largimin e Sllobodan Millosheviqit nga skena politike, Serbia duhej të kishte hyrë në një proces të transformimit demokratik. Por, kjo s’ndodhi dot. Politika e hegjemonisë dhe e ekspansionit, vazhdoi edhe pas tij. Vazhdues dhe ndjekës të politikës së tij pushtuese, destabilizuese, destruktive, retrograde, anakronike, luftënxitëse, antidemokratike, antihistorike dhe irracionale ishte dhe vazhdon të jetë kryetari i Serbisë – Aleksandar Vuçiqi. Ky ka qenë krahu i djathtë i kriminelit të luftës, Vojisllav Sheshelit.
Pas largimit të piromanit të Ballkanit nga skena, Serbia nuk nxori në sipërfaqe forca politike dhe intelektuale që do ta çonin atë rrugës së demokratizimit, të transformimit demokratik dhe të denacifikimit. Në fund të viteve ’80 të qindvjeçarit XX dhe në fillim të viteve ’90 të po atij shekulli, Serbia ishte shteti më i nacifikuar i Evropës. E tillë është edhe sot.
Regjimi totalitar, despotik, tiranik, autoritar, autokratik dhe diktatorial i Vuçiqit ishte frenues i daljes në skenë të individëve, të grupeve apo të forcave racionale, që mendojnë ndryshe dhe që e pranojnë realitetin e ri në rajon.
Ideologjia serbomadhe dhe garashaniniste u mbështet fuqimisht nga Rusia dhe nga Vlladimir Putini.
* * *
Është për t’u habitur: Si ia doli një Serbi jodemokratike, proruse dhe prokineze ta bëjë për vete botën perëndimore?! T’i bëjë për vete Fuqitë e Mëdha të Perëndimit kundër interesave jetikë të shqiptarëve – popullit më të lashtë të gadishullit! Ardhacakët e Karpateve arritën ta bëjnë për vete Perëndimin kundër interesave vitalë të një populli që ia dha Evropës Gjergj Kastriotin, ndërsa botës Nënë Terezën!
* * *
Formimi i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë të përkujton gërshërët e diplomatëve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913), të cilët për hir të interesave perandorakë të tyre dhe gjoja ruajtjes së paqes, i copëtuan trojet etnike shqiptare në favor të fqinjëve grabitqarë, hienave gjakpirëse – Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, më vonë edhe të Maqedonisë.
* * *
Është për t’u habitur: Fuqitë e Mëdha të Perëndimit – ShBA-ja, Gjermania, Franca mbështesin një Serbi fashiste, hegjemoniste, ekspansioniste, luftënxitëse, anakronike, retrograde, antidemokratike, antihistorike, proruse, prokineze, bizantine, bolshevike, diktatoriale, tiranike, despotike, autokratike, totalitare, autoritare, pushtuese, kolonialiste, destruktive, destabilizuese, një Serbi që nuk është denacifikuar, që s’ka bërë transformim demokratik, që ka aspirata territoriale ndaj Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë!
* * *
Dihet botërisht se:

– në vitet 1998-1999, Serbia në Kosovë ka bërë luftë agresive, njësoj siç bën sot Rusia në Ukrainë;
– luftën agresive të viteve të sipërthëna, Serbia e ka humbur.

Dhe ç’ndodh?! Agresori dhe humbësi i luftës, përcakton kushte. Agresori dhe humbësi i luftës – shpërblehet! Kjo s’ka ndodhur kurrë në historinë e botës. Agresori ledhatohet, përkëdhelet dhe favorizohet.
Kosova ka qenë viktimë e kolonializmit serbomadh, Serbia ndërkaq, ka qenë pushtuese. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, që nga vitet 1877-1878 e këndej, kolonialistët serbë kanë kryer ndaj shqiptarëve, sidomos në Kosovë gjenocid.
Ç’ndodh sot? Ndodh që Fuqitë perëndimore ta barazojnë viktimën me agresorin, viktimën dhe xhelatin. Madje, jo ta barazojnë, por edhe ta favorizojnë xhelatin në dëm të interesave jetikë të viktimës.
Si duket, perëndimorët të cilët në vitin 1999 ndërhynë ushtarakisht kundër makinerisë vrastare të Serbisë, tani po shprehin keqardhje ndaj saj. E gjithë bota e di se ndërhyrja u krye për të parandaluar një krizë humanitare përmasash biblike. Nën tytën e pushkës, Serbia dëboi nga Kosova 960.000 shqiptarë. Prej tyre, 600.000 u vendosën në Shqipëri, ndërsa 360.000, në hapësirat shqiptare në Maqedoni. Kishte të tillë që u vendosën edhe nëpër Evropë.
* * *
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 e këndej, politika e perëndimorëve ndaj Serbisë ka qenë e gabuar. Gjatë periudhës së sipërthënë, fuqitë perëndimore s’kanë bërë asgjë për ta nxitur procesin e demokratizimit të saj.

Fuqitë perëndimore:

– është dashur ta izolonin Serbinë e Vuçiqit dhe jo ta ledhatonin e ta përkëdhelnin atë;
– s’duhej të investonin në Serbi as edhe një dollar.

Perëndimorët duhej t’i thoshin Serbisë: “O njihe Kosovën, pavarësinë e saj, tërësinë tokësore dhe sovranitetin e saj, o ri e izoluar!”
E izoluar dhe pa investime perëndimore, Serbia do të ballafaqohej me probleme ekonomike dhe sociale. Rrjedhimisht, shoqëria serbe do të detyrohej t’i kërkonte shtigjet e transformimit demokratik.
Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, dyert e kancelarive evropiane dhe amerikane, për Vuçiqin dhe për bashkëpunëtorët e tij, vazhdimisht ishin të hapura. Dhe jo vetëm kaq. Në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit, nga vendet perëndimore kanë hyrë apo janë investuar në Serbi miliarda euro dhe dollarë. Në ndërmarrjet e perëndimorëve në Serbi, janë punësuar dhjetëra mijë punëtorë serbë, në mos dhe qindra mijë.
Një Serbi e tillë, e trimëruar, sot kërkon territor nga Kosova, pa u dhënë territor shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Në vend që të kërkonte falje për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, në veçanti ndaj Kosovës, ajo kërkon territor! Në vend që t’i paguante Kosovës zhdëmtim për dëmet e luftës, ajo vazhdon ta mbajë Kosovën në kushtetutën e vet, si pjesë të Serbisë!
Dhe Perëndimi hesht! Heshtin edhe shqiptarët!
Të ashtuquajturat bisedime të Ohrit, të 18 marsit të viti në vazhdim, marrëveshjen fiktive dhe shtojcën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rendën ta mbështesin dhe ta përshëndesin pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë – në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe gjetkë. Midis tyre: kryetari i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Qëndrimet refuzuese të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit nuk çojnë peshë ngase në vitin 2013, paraardhësi i tij, Hashim Thaçi e ka pranuar kërkesën e Serbisë për formimin e asociacionit. Nuk ka vlerë as qëndrimi kritik i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për arsye se në vitin 2015, formimin e dodik republikës e ka njohur edhe pararendësi i tij, Isa Mustafa. Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kurrë nuk u distancuan nga paraardhësit e tyre të cilët u pajtuan me formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Rrjedhimisht, reagimet e tyre sot nuk kanë vlerë.
Ç’tregon kjo? Kjo tregon se shqiptarët, nuk kanë strategji kombëtare as atëherë kur bëhet fjalë për territor etnik. Politika e ngritur mbi korrupsion tridhjetëvjeçar, nuk mund të ngrihet në politikë kombëtare. Kjo farë klase parapolitike nuk ia doli t’i dalë zot, të paktën Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
Para ShBA-së, kjo e ashtuquajtur klasë politike shqiptare – e korruptuar deri në palcë, dorëzohet dhe nënshtrohet sakaq. Amerika, në një anë aleat yni, ndërsa në anën tjetër mbështet politikën klerofashiste të Serbisë, të Beogradit, të Vuçiqit apo të vojvodë Vojisllav Sheshelit. Kjo është e papranueshme, Amerikë! Shtetësia e Kosovës, Amerikë, është mbyllur me shpalljen e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta, të paralajmëruar në Tiranë nga presidenti Xhorxh Bush (George Walker Bush, 1946- ), gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 10 qershor të vitit 2007. Pavarësia e Kosovës nuk u shpall për të krijuar brenda saj një asociacion fantomik.
* * *
Historia dëshmon se bisedimet për territore zgjasin me dekada. Askush s’e di se si do të dukej bashkësia me shumicë serbe. Kush s’e di në ka kufij të brendshëm kjo kreaturë fantomike. S’i di dot kush as përmasat e saj. Nga kjo del se sapo të fillojnë bisedimet për pamjen e saj, që të nesërmen ato do të ndërpriten, për të vazhduar kushedi se kur. Për të mos thënë kurrë.
* * *
Shqiptarët e kuptojnë: Amerika si superfuqi, sa ka interesa ndër shqiptarë, po aq ka edhe ndër serbë. Por, mos harro Amerikë, se shqiptarët i ke pasur dhe do t’i kesh aleatë të denjë dhe të devotshëm, ndërsa serbët jo dhe kurrë s’ke për t’i pasur. Serbia ka qenë dhe do të mbetet satelite politike historike e Rusisë në rajon dhe e tillë do mbetet. Në kohën kur serbët e dogjën flamurin amerikan dhe ambasadën amerikane në Beograd*, shqiptarët e mbanin simbolin tuaj kudo – nëpër shtëpi, tregtiza, ndërmarrje, zyra, restorante. I madh e vogël, me flamurin tuaj në dorë. Dhe në zemër.
* * *
Shënim: Pasditen e së enjtes të 21 shkurtit të viti 2008, në qendër të Beogradit u mbajt një miting me moton “Kosova është Serbi”. Në tubimin protestues morën pjesë kreu i shtetit dhe disa parti politike. Mitingu u shkallëzua në trazira. Dhunuesit e dogjën Ambasadën e ShBA-së. Në ndërtesën e saj u gjet një kufomë e karbonizuar. U tha se nuk është nëpunës ambasade. U deshën më shumë se gjysmë ore për të ndërhyrë policia. Uashingtoni kërkoi reagimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përpos ambasadës së ShBA-së, dhunuesit demoluan edhe ambasadën e Kroacisë dhe të Turqisë. U demolua edhe shtëpiza para Ambasadës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Dhunuesit dogjën restorantet e McDonald’s-it, demoluan bankat e huaja. Policia ndërhyri vetëm pas demolimit të Ambasadës së Kroacisë. Kryetar i Serbisë, Boris Tadiq u bëri thirrje “protestuesve” të ndalin sulmet ndaj përfaqësive të huaja dhe të shpërndahen.
Kundërshtarë ideologjikë dhe politikë të Tadiqit ishin ultranacionalistët dhe radikalët, si: Vojisllav Shesheli*, Tomisllav Nikoliqi (më vonë kryetar i Serbisë), Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi, tani ministër i Jashtëm, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit.
Shënim: Vojisllav Shesheli (Vojislav Šešelj / Војислав Шешељ, 1954- ) u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit. Iu dorëzua Tribunalit në shkurt të viti 2003. Në nëntor të viti 2014, pas pothuajse 11 vjetëve, “për shkaqe shëndetësore”, u lirua nga burgu i Sheveningenit.
* * *
Qëndrimi i Uashingtonit ndaj Serbisë në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës
– ShBA-ja lejoi që në Serbi – agjente e Rusisë në Ballkan – të investohen miliarda dollarë;
– ShBA-ja synon të ringjallë bashkëpunimin ushtarak me Serbinë;
– Në Mal të Zi, zyrtarët amerikanë inkurajuan një qeveri pro-ruse;
– Qëmoti ShBA-ja ka ngulur këmbë që në Kosovë të formohet asociacioni i komunave serbe, pavarësisht nga fakti se kjo do ta dobësonte shtetin e ri të Kosovës;
– Pas rënies së Millosheviqit në zgjedhjet e viti 2000, amerikanët sakaq i mbështetën pasardhësit e tij – Vuçiqin dhe bashkëmendimtarët e tij;
– Xho Bajdeni (Joe Biden), atëherë senator, ishte i mendimit se do të ishte më mirë që Serbia të përfshihej në procesin e integrimit në BE, në vend që t’i kërkohej asaj që kandidaturën në BE ta fitonte duke e pranuar pavarësinë e Kosovës dhe duke e respektuar tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj;
– Beogradi e shfrytëzoi mbështetjen e Uashingtonit për ta refuzuar planin Ahtisari për pavarësinë e Kosovës; – Beogradi e merrte veten për vend, ushtarakisht asnjanës, përkundër faktit se riarmatosej kryesisht nga Rusia;
– Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 në Serbi, grupet politike relativisht liberale dolën humbës; Uashingtoni ndërkaq u reshtua me pasardhësit nacionalistë dhe antidemokratikë, me në krye Vuçiqin;
– Uashingtoni i mbylli sytë para: kanosjeve ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës; mosnënshkrimit të marrëveshjes nga Vuçiqi; manifestimit të forcës nga Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë; vënies së mediumeve nën kontrollin e Vuçiqit; përndjekjes së opozitës; dhe korrupsionit marramendës në Serbi;
– Është e mundur që për Uashingtonin, Ballkanit Perëndimor të jetë një rajon periferik, sidomos në një kur ShBA-ja ballafaqohet me agresionin rus në Ukrainë dhe me aspiratat e Kinës për ta aneksuar Tajvanin;
– Uashingtoni e toleron Serbinë, edhe pse politika e jashtme e saj është proruse dhe prokineze.

Qëndrimi i sipërthënë i Uashingtonit, nuk e ndihmon transformimin demokratik të Serbisë. Fuqitë e Mëdha parapëlqejnë që mosmarrëveshjet midis dy a më shumë popujve apo dy a më shumë shteteve t’i zgjidhin pikërisht liderët nacionalistë të cilët kanë mbështetje më të madhe në popull. Ndryshe, çfarëdo marrëveshje e arritur pa miratimin e tyre, do të ishte e paqëndrueshme.
* * *
Formimi i asociacionit e bën të parëndësishme njohjen e Kosovës nga Serbia, por edhe nga pesë vendet e BE-së që ende s’e kanë njohur atë, si: Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja. Formimi i shtetit brenda shtetit e bën të pavlerë edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës apo integrimin në BE. Historia e botës nuk njeh as edhe një rast të vetëm që një popull të ketë dhënë territor, vetëm e vetëm për t’u bërë anëtare e një unioni. Unionet mund të jenë edhe të përkohshme, ndërsa territoret kombëtare janë të përjetshme.
Territori s’jepet dot as në shkëmbim të investimeve të huaja apo të ndihmave financiare të huaja. Në Serbi kanë hyrë miliarda euro dhe dollarë nga Perëndimi, përkundër faktit se ajo kurrë nuk u pajtua me realitetin e ri në kontinentin e vjetër dhe në rajon. Sot e kësaj dite, ajo vuan për rënien e murit të Berlinit dhe për shpërbërjen e Jugosllavisë. Por sipas saj, bota sot nuk është njëpolare, është trepolare. Me fjalë të tjera, përpos Amerikës, fuqi globale janë edhe Rusia me Kinën.
Një Serbi e këtillë Amerikë, nuk e meriton mbështetjen tënde!
* * *
Politikanët shqiptarë duhet ta dinë: Nuk bëhet Ballkan i Hapur me Vuçiqin, dishepull i Sheshelit, ish-ministër i kohës së Millosheviqit, bashkëmendimtar i Tomisllav Nikoliqit – që të gjithë kriminelë lufte dhe antishqiptarë të përbetuar.
Evropë! Nuk e ka vendin në BE një popull i cili në shekullin XXI jeton në mite dhe në legjenda mesjetare – të trilluara!
* * *
“Ëndërrimtarin mund ta vrisni, por ëndrrën kurrë” – Dalaj Lama (Tenzin Gjatso, 1935- ).*

Shënim: Dalaj Lama konsiderohet kreu suprem i budizmit tibetian. Që të katër drejtimet në traditën tibetiane të vet e konsiderojnë lamë më të lartë.

Xhelal Zejneli