Messi nderohet me statujën e tij të re, argjentinasi me fanellën e kombëtares duke mbajtur trofeun e Botërorit

Ishte padyshim imazhi më i bukur i Botërorit dhe ndoshta i fundit për të. Lionel Messi, duke mbajtur në duar trofeun e çmuar të Kupës së Botës, duke treguar se ka përmbushur misionin e tij më të madh, të udhëheqë kombëtaren e Argjentinës në majat e botës, pas 36 vitesh.

Ky moment shënoi ngjarjen më të madhe për futbollin e vitit 2022 dhe tani, është fiksuar edhe në një statujë në nder të legjendës argjentinase. CONMEBOL, autoriteti organizator i futbollit të Amerikës së Jugut, priti kombëtaren “Albiceleste” në eventin e shortit për Libertadores në Paraguaj, ku u zbulua statuja e re në përmasa reale të Messit që mban Kupën e Botës.

“Kjo është vërtet shumë për mua. Nuk kam ëndërruar kurrë diçka të tillë, ëndrra ime ishte vetëm të shijoja atë që bëja që kur isha fëmijë. Ka pasur shumë zhgënjime, shumë humbje, por gjithmonë kam parë përpara. Gjithmonë kam ndjekur lumturinë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Të luftosh për ëndrrat e tua, të dish që gjithçka është e mundur dhe të shijosh lojën, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.

Siç e kam thënë edhe më parë, po përjetojmë një moment shumë të bukur dhe të veçantë. Jemi me fat që jemi kthyer për të luajtur në Argjentinë për herë të parë që nga Kupa e Botës dhe kemi marrë një mbështetje dhe dashuri të jashtëzakonshme. E kemi bërë shumë herë më parë, duke luajtur miqësore, kualifikuese në Argjentinë me kombëtaren gjatë sezonit, por këtë herë padyshim që është diçka shumë ndryshe. Dua të theksoj gjithashtu se pavarësisht valëve të dashurisë dhe adhurimit që kishim përpara pushimit, ende nuk e kemi kuptuar plotësisht se çfarë do të thtë të jesh kampion bote. Jam i kompletuar me këtë Botëror, kjo ishte ajo që më mungonte”, përfundoi Messi.