Mbappe pritet të jetë kapiteni i ri i Francës

Didier Deschamps ka thënë se do të ketë diskutime me Kylian Mbappe për rolin e kapitenit te Kombëtarja e Francës.

“Gjelat” janë në kërkim të kapitenit të ri pas pensionimit të Hugo Llorisit, që ishte kapiteni i parë, si dhe Raphael Varanes, që ishte zëvendës-kapiten.

Mbappe shihet si favorit për të qenë pasardhës i portierit të Toottenham Hotspur, por nuk përjashtohet as mundësia që Antoine Griezmann të marrë shiritin e kapitenit.

Didier Deschamps, i cili sot u paraqit në një konferncë për media, tha se do të flasë me lojtarët përkatës përpara se të marrë vendimin e tij përfundimtar.

Ai përmendi Mbappen, duke shtuar kështu edhe më shumë zërat se sulmuesi i PSG-së do të jetë kapiteni i radhës te Franca, ka raportuar “RMC Sport”.

Ashtu siç tha përzgjedhësi francez, të enjten pritet që të zbulohet emri i kapitenit të ardhshëm të Francës.

“Do t’i shfrytëzoj këto ditë të para për të folur me lojtarët në fjalë. Kylian do të jetë pjesë e këtij diskutimi. Do të dini më shumë herën tjetër që do t’ju shoh, të enjten. Kylian është shumë i aftë në komunikimin e tij. Nuk mund t’ju them më shumë, nuk kam vendosur ende”, tha Deschamps.