LRE zhvillon mbledhjen e Kordinatorëve. Galdini: Sfida jonë për mbledhjen e firmave në Tiranë, deri në sekondin e fundit të afatit ligjor…
Partia Lëvizja e Re (LRE) ka zhvilluar ditën e sotme, mbledhjen e Kordinatorëve. Mbledhja e Kordinatorëve në nivel kombëtar është struktura më e lartë vendim-marrëse e kësaj partie pas Asamblesë Kombëtare dhe Kuvendit.
Në mbledhjen e Kordinatorëve marrin pjesë drejtuesit kryesorë të LRE në nivel Bashkie dhe Qarku si edhe Anëtarët e Kryesisë Qendrore.
Kryetari i LRE Arian Galdini u shpreh se: “Ne ndonëse jemi parti e re, ia kemi dalë mbanë që të ngremë struktura reale e me njerëz realë kudo e ngado në Shqipëri dhe Diasporë. Sigurisht që nuk jemi ende shumë, nuk jemi ende aq sa të konsiderohemi fitues, por pa diskutim kemi arritur të ngremë Pakicat Kritike në çdo Bashki të Shqipërisë. Ne nuk jemi ende shumë, por jemi Pakica Kritike me njerëz realë. Dhe mbi të gjitha jemi të përgatitur për një rrugë të gjatë rezistence e sakrificash që mund të kërkojnë edhe më shumë se një dekadë. Jemi të përgatitur. Nuk na trembin e as ne mëdyshin as dështimet e as mosarritjet, as shtrëngesat e as ngushticat, as pengesat e as balta e mohimi. E dimë shumë mirë çfarë po bëjmë e sa udhë e gjatë dhe e pamundur është. E dimë se kemi zgjedhur me vetëdije shtegun e pashkelur. Dhe do tia dalim sado kohë të nevojitet. Ndoshta nuk do tia dalim për ne, por do tia dalim për brezat e rinj që po vijnë..”.
Më tej Galdini shtoi se: “Gara për Bashkinë e Tiranës është sfida e sfidave për LRE. Ne do të bëjmë të pamundurën të gjithë së bashku që përpiqemi deri në sekondin e fundit të afatit ligjor të regjistrimit të kandidatëve, deri në mesnatën e 27 marsit, që të sigurojmë mbi 3000 firmat mbështetëse të qytetarëve sipas kërkesës së Kodit Zgjedhor. Nuk është aspak e lehtë sepse kjo kërkesë absurde dhe antikushtetuese e antidemoktatike e Kodit Zgjedhor për kaq shumë firma mbështetëse, i ka rraskapitur e lodhur qytetarët. Por ne do ta bëjmë të plotë përpjekjen tonë, deri në firmën e fundit, deri në sekondin e fundit. Ne duam të hyjmë në garë si parti e djathtë me kandidatin tonë të djathtë dhe me platformën tonë të djathtë. Ne nuk hyjmë për të marrë votat e askujt… Tek e fundit askush nuk i ka votat me tapi. Garat janë që të fitojë më i miri, jo të fitojë ushtria dhe llogorja. Askush nuk i ka votat me tapi. Askush nuk është as çifligari e as pronari i votave të djathta. Votat janë vullnet i lirë qytetar, e drejta absolute e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. E çfarë është më e rëndësishmja, unë si Arian Galdini jam plotësisht i ndershëm dhe i qartë e pa asnjë ekuivok kur them se unë dua vota të djathta, qytetarësh të djathtë të cilët nuk do ta votonin kurrë një kandidat të mbështetur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Unë jam qartësisht dhe vendosmërisht kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës e nuk po kërkoj asnjë votë të asnjë qytetari me bindje të djathta që ka qoftë edhe mëdyshjen për të votuar për Sali Berishën dhe Ilir Metën si e keqja më e vogël. Unë dua vota qytetarësh të djathtë që e kanë ndarë mendjen se nuk do ta hidhnin kurrë votën, kurrë në asnjë version e logjikë, për Sali Berishën dhe Ilir Metën. E në fund fare, unë hyj si i vetmi kandidat i djathtë për Kryetar Bashkie i Tiranës, sepse Erion Veliaj është i majti i PS, Belind Këlliçi është kandidati i ish Komunistit Sali Berisha dhe Socialistit Ilir Meta si edhe kandidatët e tjerë janë majtas e deri në qendër.”