Kuvendi nderon familjen Jashari në 25 vjetorin e Epopesë

13:26 – Jashari-deputetëve: Të jeni të një gjuhe, që të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, sot ka folur para deputetëve në kuvend, në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Ai është shprehur se duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bijtë dhe bijat tona, siç tha ai, ne sot jemi të lirë.

“Duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bijtë dhe bijat tona, ne kemi arritë sot këtu, jemi të lirë, jemi tubuar të lirë. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet mike i kemi pranë nesh, edhe ju ushtarë të nderuar e oficerë. I falënderoj nënat e dëshmorëve, motrat, veteranët, invalidët, familjarët e personave të zhdukur, të gjithë juve këtu, iu uroj shëndet. Lavdi e nder të gjithë atyre që ranë”, u shpreh ai.

Rifat Jashari pati edhe një thirrje për deputët e Kuvendit të Kosovës, duke iu kërkuar që të kenë një qëndrim, përcjell Klankosova.tv.

“Këtu është kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e vendit, të ardhmen e shtetit, u kisha preferuar që të jeni të një gjuhe, të një qëndrimi dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara, të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia e pastaj kemi kohë të merremi me të tjerat”, u shpreh tutje ai.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

13:15 – Abdixhiku citon Rugovën: ‘Familja Jashari po mbronte pragun e shtëpisë’

Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca solemne në 25 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se 25 vjet më parë në Prekaz, familja Jashari po e mbronte pragun e shtëpisë, njofton Klan Kosova.

“Siç thoshte edhe Rugova: Adem Jashari dhe familja e tij po e mbronin pragun e shtëpisë. Një popull që e do lirinë, do ta fitonte atë një ditë. Thirrja e familjes Jashari kumbon edhe sot. Na vjen si thirrje për ribashkim të brendshëm dhe atdhedashuri”.

“Sot në përvjetorin e 25-të kujtojmë të gjithë të rënët për liri. I nderuari baca Rifat Jashari sot në Prekaz më tha se ‘dhimbjen e kemi kapërcyer’. Por, qëllimi i shuarjes i trungut tuaj familjar një çerek shekulli më parë, ishte qëllimi i shuarjes së vetë popullit të Kosovës”.

“Qëndresa juaj atëherë ishte rilindja jonë kombëtare. Rilindja juaj sot si familje me breza të rinj, është qëndresë e jona që na mban në rrugën përpara”.

12:58 – 25 vjetori i Epopesë së UÇK-së, Krasniqi: Pa Adem Jasharin e UÇK-në, s’do të kishte pasur Kosovë të lirë e të pavarur

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën solemne të shënimit të 25 vjetorit së Epopesë së UÇK-së tha se sakrifica e familjes Jashari dhe Marsi i lavdishëm i 98-tës, vunë themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.

Krasniqi tha se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet e luftës për kauzën kombëtare.

“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet. UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, por nuk ka luftuar vetëm për pragun e shtëpisë. Ka luftuar për kauzën tonë kombëtare shekullore”.

“Ka luftuar për drejtësinë historike. Dhe madhështia e UÇK-së nuk e merr kuptimin e plotë pa sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari, që frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit. Me këtë rast, në këtë ditë të lavdisë shembullore, na mungojnë bashkë-rrugëtuesit e Adem Jasharit, që nuk ju ndanë rrugës së tij deri në bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dhe bashkëluftëtarët e tyre, që të privuar nga liria, po mbahen larg nesh në betejën e fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së”, theksoi ai.

Krasniqi tha se një çerek shekulli nuk e ka shlyer aspak kujtesën e gjeneratave që i kanë përjetuar ato ditë, por sipas tij, ato ditë e tejkalojnë kujtesën e gjeneratave, sepse i takojnë një epoke historike, të cilën duhet t’ua mësojmë në mënyrë të drejtë gjeneratave që do të vijnë.

“Dhe një histori e drejtë, e saktë për nga faktet, gjithëpërfshirëse për nga natyra dhe e qëndrueshme për nga e vërteta, mund të shkruhet vetëm kur i përgjigjemi pyetjes: Cili do të ishte fati i Kosovës, po të mos kishte ndodhur sakrifica e Familjes Jashari dhe po të mos kishte qenë UÇK-ja? Është e pamohueshme se lëvizjet politike që lindën në vitet e 90-ta, që ju përgjigjen një nevoje dhe një të drejte historike, si liria dhe pavarësia, i hapën popullit tonë një dritare shprese për liri e pavarësi. Por, Serbia nën regjimin e Millosheviqit, ishte agresor që s’kuptonte as gjuhën e paqes, as të dialogut, e as të drejtësisë që natyrshëm i takonte vendit dhe popullit tonë. Për afër një dekadë, përkundër se pati një konsistencë nga brenda, pati një status-quo nga jashtë. Prandaj, dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha fund asaj status-quoje”, shtoi ai.

Krasniqi tha se në mars të vitit 1998, liria si kauzë dhe vdekja për liri, dolën nga miti e u bënë realitet në Prekaz.

“Adem Jasharin, para se ta nderojmë për luftën e sakrificën, duhet ta nderojmë për jetën dhe frymëzimin që i ka paraprirë asaj sakrifice. Para se ta marrim si nismëtarin e rrugës për çlirim, duhet ta marrim si vizionarin që vendosi themelet e vetëdijes që nxiti e nisi drejt asaj rruge. Para se ta marrim si heroin që i ka dhënë kuptim një date të një kohe të shkuar, duhet ta marrim si heroin që i ka dhënë kuptim çdo kohe pas asaj date”.

“I tillë ishte ai dhe të tillë ishin të gjithë ata që ndoqën rrugën e sakrificës sublime për lirinë e Kosovës. Prandaj sot, me zemër të plotë, me vetëdije të lartë dhe me përgjegjësinë që kemi ndaj të ardhmes, nderojmë e përkulemi para veprës së tyre heroike, mbi të cilën qëndron themeli i Kosovës së lirë e të pavarur. Natyrisht, kjo Epope, krahas rrafshit të një kauze çlirimtare, nuk mund të ndahet edhe nga dimensioni i sakrificës së pashembullt njerëzore që familja Jashari ka manifestuar përmes saj”, theksoi ai.

Krasniqi gjithashtu bëri thirrje që tani 25 vite pas Epopesë së UÇK-së kur Kosova ka ende shumë punë të papërfunduara, të tejkalohen interesat e ngushta duke marrë përgjegjësitë që i takojnë.

“Një çerek shekulli pas Epopesë së UÇK-së, Kosova ka ende shumë punë të papërfunduara. 25 vite pas, duhet të ngritemi për të marrë përgjegjësitë që na takojnë, përtej interesave të ngushta. Adem Jashari nuk ka qenë njeri politik e as partiak. Ai nuk i takon askujt veçanërisht, por na takon të gjithëve bashkërisht, si shtet e si komb, të gjithë shqiptarëve kudo që janë”.

“Si frymëzim e si yll polar për të bërë punë të mira për vendin e për popullin tonë. Dhe në këtë përkatësi të përbashkët që na lidhë me emrin e tij, shtrihet edhe përgjegjësia jonë që të punojmë për një Kosovë më të mirë e më të drejtë, me më shumë perspektivë për të rinjtë e të rejat e vendit tonë. Për një Kosovë të tillë, Prekazin e kemi udhërrëfim, për rrugën e cila nuk do të na shpie kurrë në qorrsokak”, përfundoi Krasniqi.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

12:50 – Kurti kujton një bisedë të Shaban Jasharit me një profesor pas protestave të 81-tës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka përkujtuar bisedën e Shaban Jasharit, babait të komandantit legjendar të Adem Jasharit, me një profesor universitar në një ndejë pas demostratave të vitit 1981.

Ai tha se profesori universitar i kishte thënë Jasharit se “Republika do të bëhej pas gjashtë muajsh”.

Ndërsa, Shaban Jashari ishte përgjigjur me mjaft maturi.

“Dëgjo morë djalë, po u bë kjo punë sot e 10 vjet, do të më dukej se kjo punë u bë sot”, kishte thënë Shaban Jashari.

Kosova shënon 25-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, e cila shënon rënien heroike të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Ademin.

Datat 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998-të, trasuan rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

12:40 – Emocionohet Glauk Konjufca teksa e quan Rifat Jasharin ‘hero të gjallë’

Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca solemne në 25 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është emocionuar derisa e ka quajtur Rifat Jasharin i cili është i pranishëm në seancë, legjendë të gjallë, njofton Klan Kosova.

“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharajve është rast i pashembullt jo vetëm në historinë e Kosovës, një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës”.

“Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, sa që kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, kurse bota u zhvendos nga orbita e saj politike”.

Tutje, Konjufca ka thënë se sakrifica e të gjallëve nuk është më pak e vlefshme se atyre të rënëve për liri.

Ai e ka kujtuar bacën Rifat Jashari i cili gjatë luftës i kishte humbur 55 anëtarë të familjes së tij.

“I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, por ishte ai që i ngushëllonte të tjerët”.

“Vetëm për 1 minutë ta zini vendin e bacës Rifat dhe më thoni a nuk është ky definicioni i heroit të gjallë?”.

12:37 – Osmani: Ta mbajmë gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë luftën e UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën e solemne në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, u shpreh se duhet mbajtur gjallë kujtesa për sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë luftën e UÇK-së.

Ajo u shpreh se nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrrezikojnë t’i nënshtrohen përsëritjes së saj.

“Sikurse se dëshmohet në histori, një çerek shekulli nuk është shumë i gjatë në jetën e popujve e të shteteve, mirëpo ai mund të tingëllojë i gjatë nga pikëvështrimi kohor, prandaj është shumë e rëndësishme për ta mbajtur të gjallë kujtesën për rrugën tonë, nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrezikojnë t’i nënshtrohen përsëritjes së saj”.

“Prandaj, ne duhet e do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për gjithë luftën e UÇK-së, të cilën ata e bënë për vendin. Ne duhet ta ruajmë kujtesën për rezistencën e kësaj familje të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, por edhe sakrificën e një populli të tërë, si pjesë të historisë sonë të dhimbshme”, u shpreh ajo.

Tutje, Osmani tha se ne e fituam lirinë, sepse, siç u shpreh ajo, e njohëm peshën e saj për shekujt, përcjell Klankosova.tv.

“Ne e fituam lirinë, sepse e njohëm peshën e saj për shekujt, duke u përballur shpesh me mungesën e saj për shkak të mësymjeve të ndryshme ndaj nesh, por ne e fituam atë edhe sepse edhe në rrethana të vështira historike ne qëndruam e përballuam dhimbjen e luftuam të bindur në fitoren përfundimtare, lirinë sikur dihet e fitojnë ata popuj e ato vende që besojnë vërtetë në të dhe që janë gatshëm t’i bëjnë ballë secilës sakrificë për ta arritur këtë, ne që e kemi provuar shtypjen e dimë më së miri këtë”, u shpreh tutje ajo.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

Me ceremoni ka filluar seanca solemne në 25 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka ftuar të gjithë deputetët dhe mysafirët që janë pjesë e kësaj seancë që të ngrihen në këmbë derisa interpretohet himni i Kosovës dhe ai Kombëtar, njofton Klan Kosova.

Të pranishëm në këtë seancë janë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Rifat Jashari dhe ambasadorë të vendeve mike të Kosovës.

Pas ceremonisë, Konjufca ka kërkuar që të mbahet një minutë heshtje për të gjithë të rënët për çlirimin e Kosovës.