Kurti: Nuk kam dhënë asgjë, ajo që kam pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas kushtetutës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nga pikëpamja e tij, Asociacioni me Shumicë Serbe, si marrëveshje e trashëguar nga 2013–2015, është në nenin 10, në nenin 7 flitet për komunitetin serb, i cili përmendet mbi 10 herë në Kushtetutën e Kosovës.
Para deputetëve në Kuvend ai vlerësoi se nuk ka dhënë asgjë, dhe se ajo që ka pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të kushtetutës.
Sipas Kurtit, komuniteti serb nuk janë Komunat me Shumice Serbe, kategorikisht janë dy gjëra të ndryshme, dhe se komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisaarit.
“Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet garantuar në përputhje me konventat e Këshillit të Evropës. E vetmja konventë e Këshillit të Evropës që rregullon aspektet e të drejtave të komuniteteve joshumicë është konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave, e cila tashmë është pjesë e kushtetutës së Kosovës neni 22. Nuk ka konventë tjetër!”
“Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetmenaxhim i tillë është ajo që tashmë kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj”, deklaroi Kurti.
I pari i ekzekutivit po ashtu shtoi se propozimi kryesor s’ka asnjë reference specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetmenaxhim i tillë, përderisa tavani i lartë është konventa kornizë e Këshillit të Evropës.
“Kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i respektit për te drejtat individuale jo territoriale të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë, e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre”.
“Pra, këtu nuk kam dhënë asgjë. Ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të kushtetutës, e cila e ka pjesë të saj konventën kornizë. Kushdo që thotë që kjo është një përbërës shtesë, apo që nënkupton diçka shtesë, e ka gabim, ose kështu rezonojnë në fqinjin tonë verior, armik”.
“Një komunitet siç është ai serb, e komuniteti serb është komunitet që njihet në kushtetutën e Republikës së Kosovës, nënkupton një dimension social joterritorial, jo institucional dhe jo politik te një tëresie të individëve. Nuk ka komunitet pa individë. Po individët mund të bëjnë komunitet”.
“Konventa kornizë ka subjekt individët që janë pjesë e grupeve minoritare, dhe ashtu është kuptimi edhe i nenit 7 të marrëveshjes bazike. Pra nuk ka asgjë më shumë sesa që tashmë ekziston. D.m.th neni 22 i kushtetutës dhe e gjithë ajo që është pjesë e nenit 22 të kushtetutës është reference për të drejtat individuale të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, e njëri prej tyre është natyrisht edhe ai serb. D.m.th njohje të të drejtave te njeriut që janë të natyrshme në një demokraci liberale, siç është e drejta në gjuhë, në arsim në gjuhën e tij/saj, e drejta për t’u punësuar pa diskriminim, etj. për anëtarët e komunitetit serb, gjë që është tashme garancion kushtetues e ligjor ne shtetin tonë”, përfundoi Kurti gjatë raportimit të tij në Kuvend.