KFOR-i në “lëvizje”, helikopterët fluturojnë mbi katër komuna të Kosovës

Përgjatë tri ditësh KFOR-i do të zhvillojë stërvitje ushtarake në pjesën perëndimore të Kosovës.

Stërvitjet rutinë do të nisin nga 14 deri më 17 mars dhe trupat ushtarake do të kryejnë stërvitje tokësore si dhe fluturime me helikopter.

Aktiviteti stërvitor do të kryhet nga Komanda Rajonale e Kontingjentit Shumëkombësh Perëndimor dhe ushtarët e automjetet e KFOR-it do të pozicionohen në komunat e Istogut, Gjakovës dhe Prizrenit.

“Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizjen ditën dhe natën në tokë dhe fluturime me helikopterë mbi qytetet e Gjakovës, Deçanit, Shtërpcës dhe Rahovecit. Do të ketë gjithashtu autokolona automjetesh të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që kalojnë tranzit në rrugët kryesore dhe dytësore brenda rajonit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i ka shtuar se do të sigurohet që të mos ndikojë në aktivitetet e përditshme të qytetarëve.