Gjithmonë shumë i buzëqeshur, shumë i matur dhe shumë i dashur, por N’Golo Kante fsheh gjithashtu histori të errëta.
France Football i kushtoi një hulumtim të gjatë problemeve ekstrasportive të lojtarit, duke iu rikthyer veçanërisht një episodi grabitjeje me armë zjarri.
Ndërsa mesfushori po largohej nga një restorant në Hauts-de-Seine në vitin 2017, ai u “ftua” të hipte në një automjet me xhama të errët.
Njëri nga agresorët, sipas burimit të mediumit francez, i kishte thënë Kantes: “Agjentin tënd, ose e lëre, ose e qëllojmë ne”.
“Grabitësi ishte jashtë restorantit, e futi në një makinë dhe i vuri një armë në gju”.
I pyetur për këtë, N’Golo Kante nuk ka dashur të përgjigjet – duke e lënë ngjarjen të rrethuar mes shumë pyetjeve.
“Asgjë nuk ka ndodhur gjatë kësaj kohe dhe nuk kam asgjë për të shtuar. Jam mjaft i mbyllur sa i përket jetës sime dhe i fokusuar te Chelsea, ku jam shumë i lumtur, me dëshirën për t’u rikthyer në fushë”.
“Jam duke u ngritur pak nga pak”, deklaroi lojtari i Bluve, i cili nuk ka luajtur që nga gushti i vitit 2022 për shkak të një lëndimi.