Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin për krime lufte.
Kështu është bërë e ditur në mediat ndërkombëatre teksa thuhet se ai është i dyshuar për krime lufte për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina.
Gjykata tha në deklaratë se Putini “dyshohet se është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e pushtuara të Ukrainës.”
Gjykata gjithashtu ka lëshuar urdhër-arrest edhe për Maria Alekseyevna Lvova-Belova, komisionere për të drejtat e fëmijëve në zyrën e presidentit të Federatës Rusë për akuza të ngjashme.
ICC tha se dhoma e procedurës paraprake gjeti se kishte “bazë të arsyeshme për të besuar se secili i dyshuar mban përgjegjësi për krimin e luftës së dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse.”
Të enjten, një hetim i mbështetur nga Kombet e Bashkuara përmendi sulmet ruse ndaj civilëve në Ukrainë, duke përfshirë torturat dhe vrasjet sistematike në rajonet e pushtuara, midis mizorive të mundshme që përbëjnë krime lufte dhe ndoshta krime kundër njerëzimit.
Hetimi gjithëpërfshirës gjeti gjithashtu krime të kryera kundër ukrainasve në territorin rus, duke përfshirë fëmijët e dëbuar ukrainas të cilët u penguan të ribashkoheshin me familjet e tyre, një sistem “filtrimi” që synonte të veçonte ukrainasit për paraburgim, torturë dhe kushte çnjerëzore të paraburgimit.