Një numër rekord prej 4 mijë emigrantësh mbërritën në ishullin italian të Lampeduzës në ditët e fundit.

Vetëm të shtunën, numri i zbarkimeve në Sicili arriti në 35 raste, me 1 mijë e 300 emigrantë të mbërritur. Ndërsa në Kalabri, mbërritën rreth 600 persona të cilët u shpëtuan në mes të detit.

Të shtunën, anija “SOS Mediterranea” u kërcënua me armë zjarri nga e ashtuquajtura Roja Bregdetare Libiane.

Agjencia kufitare “Frontex” ka njoftuar ndërkohë se ardhje të tjera priten në ditët në vazhdim.

Ndërkohë, të paktën 19 emigrantë të ardhur nga Afrika nën-Sahariane kanë humbur jetën në brigjet e Tunizisë, për shkak të fundosjes së varkës me të cilën po udhëtonin për të arritur Italinë.

Lidhur me emigracionin, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka deklaruar se shpreson në arritjen e një zgjidhjeje në nivel evropian, edhe pse vendet e tjera duken më pak të prekura nga fenomeni.