“E papranueshme, duhet dënuar”, ambasadori i BE-së në Kosovë reagon për incidentet në veri

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka dënuar djegien e disa automjeteve në pronësi të shtetasve serbë në veri, me targa RKS.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Szunyog u shpreh se shkatërrimi i pronës private me qëllim të frikësimit, është i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë.

“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur në dy ditët e fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm dhe i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës”, shkroi ai në Twitter.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në veri të vendit është raportuar për djegien e tri autimjetev që u përkasin personave të nacionalitetit serb.

Gjithashtu, një ditë parë janë djegur dy automjete.