Do t’i skadojë kontrata me Juven në verë, Di Maria flet për të ardhmen

Angel Di Marias do t’i skadojë kontrata me Juventusin në fund të këtij sezoni.

Ylli argjentinas iu bashkua “Zonjës së Vjetër” nga Paris Saint-Germaini, ndërsa pati paraqitje pozitive kur ishte mirë fizikisht.

E tash, ish-futbollisti i Real Madridit dhe i Manchester Unitedit thotë se është në rrugë të mbarë për ta vazhduar bashkëpunimin me “Bianconeri”.

“Po flasim për këtë punë me Juventusin. Unë jam i lumtur këtu, e ndiej dashurinë e njerëzve, ata po e shfaqin këtë ndaj meje. Ata janë të lumtur dhe unë jam i lumtur, kjo është e rëndësishme”, u shpreh kampioni i botës me Argjentinën.

Përkundër faktit se Juve mund të mos marrë pjesë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm, veterani i mesfushës nuk e ka problem të qëndrojë dhe të luajë në Torino edhe një vit.