Dan Hutra del nesër para Gjykatës së Tiranës

40-vjeçari Dan Hutra, i cili vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera mesditën e së mërkurës, pritet të dalë të shtunën përpara gjykatës së Tiranës për t’u përballur me 3 akuza.

Bëhet me dije se ndaj tij Prokuroria ka ngritur akuzat e ‘vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare’, ‘vrasjes me paramendim’ dhe ‘prodhimit dhe mbajtjes pa leje e të armëve’.

Hutra me shumë gjasë do të mbrohet nga një avokat i siguruar nga shteti, ndërsa prokurori i çështjes ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg.

Hetime po kryen edhe nëse në masakrën e 1 marsit ku humbën jetën Etleva Kurti, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, autori të jetë ndihmuar nga persona të tjerë.

Vetë Dan Hutra me precedentë të mëparshëm penalë, rrëfeu të gjithë kronologjinë e masakrës duke shtuar se po atë ditë kishte planifikuar një vrasje tjetër në zonën e Sharrës, por që nuk e realizoi dot pasi u prangos nga policia.

Ndërkohë, nuk dihet nëse prokuroria do të kërkojë një ekspertizë të gjendjes mendore për 41-vjeçarin.