Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar sot se marrëveshja e arritur në Ohër konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Ai ka potencuar se do ta shohin nga afër zbatimin e marrëveshjes, për të cilën janë pajtuar Kosova dhe Serbia.
“Kishim diskutime të gjata, dhe më në fund kemi një marrëveshje, e cila do të konsiderohet si pjesë integrale e rrugës evropiane për të dyja vendet. BE-ja do të jetë pjesë e kapitujve të negociatave me Serbinë, kapitulli 35, dhe do të përfshihet në dokumentet e normalizimit dhe kërkesat për Kosovën”, ka thënë Borrell.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.