20 marsi, Dita Ndërkombëtare e Lumturisë


Bota vërtet ka nevojë për një ditë plot buzëqeshje dhe prandaj Kombet e Bashkuara e shpallën Ditën ndërkombëtare të Lumturisë. Në korrik të vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.

Fillimisht u konceptua dhe u themelua në vitin 2006 nga Jayme Illien, CEO e projektit të Kombeve të Bashkuara, organizatë që e ka cilësuar lumturinë si një qëllim themelor për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit.

Ideja e festimit të kësaj dite është njohja e domethënies së lumturisë dhe gëzimit në jetë në të gjithë botën. Larg të qenit vetëm një simbolikë, ideja e lumturisë matet nëpër vende nga Kombet e Bashkuara dhe botohet në formë të një raporti. Sipas raportit të vitit të kaluar, Helsinku ka dalë të jetë qyteti më i lumtur në botë.

Për të festuar, njerëz në të gjithë botën organizohen dhe u sjellin lumturi të tjerëve, shkruajnë mediat e huaja.

OKB-ja thotë se për të rritur lumturinë globale, zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me mirëqenien sociale dhe mjedisore. Kjo ditë pranon se lumturia është një objektiv themelor i njeriut dhe u bëhet thirrje vendeve për të hartuar politika publike në mënyra që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë popujve.